TIRANE, 13 mars 2013– Qeveria e Shqipërisë miraton sot marrëveshjen trelaterale për projektin TAP mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë.
Kryeministri Sali Berisha tha sot në mbledhjen e qeverisë se, "miratojmë sot marrëveshjen për projektin TAP mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Në territorin e këtyre vendeve do të kalojë projekti i ardhshëm më i madh i kohës për Europën, siç është gazsjellësi Transadriatik".
“Garantoj të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh se Shqipëria sikundër deri më sot do përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje për vendin tonë”, theksoi më tej Berisha.
Berisha përshëndeti vendet fqinje për gatishmërinë që treguan për projektin e TAP, ndërsa ritheksoi përparësitë që do sjellë ky projekt në familjet shqiptare.
“Përshëndes ekipin negociator të 2 vendeve fqinje, qeveritë e tyre për vendosmërinë që treguan në përparësinë që i dhanë në axhendën e tyre, këtij projekti, që siç theksoj dhe njëherë do jetë më i madhi projekt në rajon dhe Europë, për kohën që vjen. Ky projekt do të sjellë tek familjet shqiptare një ulje të qartë të kostos që ata bëjnë sot për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi të madhe për Shqipërinë, superfuqi energjike në rajon. Një burim tjetër të fuqishëm, energjie për Shqipërinë, vend për zhvillim të shpejtë dhe vend për rritje të kërkesës për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrdhëniesh ekonomike me 2 vendet e tjera”.
Bizneset, Berisha: Të hiqen barrierat për bizneset
Kryeministri këshilloi ministrat e kabinetit qeveritar të shyqrtojnë çdo përparësi për heqjen e barrierave mbi biznesin e vogël.
“Më vijnë ankesa. Ndaj, në agjencitë që varen nga ju, të shqyrtoni me përparësi absolute heqjen e çdo lloj barriere të pamerituar për bizneset. Zgjerimin në maksimumin e mundshëm të lirive të biznesit dhe iniciativës së lirë. Potenciali, për të bërë gjithçka për të nxitur prodhimin e punësimin. Ne kemi vendosur gjatë këtyre javëve, përmasa fiskale që e bëjnë Shqipërinë një vend unik dhe natyrisht e kanë koston e tyre në buxhet. Por ne kemi potenciale të jashtëzakonshme, të tjera për të nxitur prodhimin e punësimin”.