TIRANE, 12 mars 2013 – Partia Socialiste ka organizuar sot një takim me disa qindra sportdashës, por edhe njerëz që praktikojnë disiplina të ndryshme sportive, për t’i njohur ata më gjerësisht me programin e opozitës përsa i përket sportit. Kryesocialisti Edi Rama, që mori fjalën në takim, theksoi se programi i hartuar nga selia rozë për sportin do të synojë të krijojë një infrastrukturë të përshtatshme për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive dhe për ta kthyer sportin në aktivitet të dashur sidomos nga të rinjtë.
“Çështja e rilindjes së sportit në radhë të parë është si aktivitet fizik për të gjithë, nxënës dhe studentë. Më shumë se sa një çështje parash dhe një çështje infrastrukture është një çështje vizioni dhe një çështje e të kuptuarit të botës. Ne e kemi sportin pjesë të vizionit tonë dhe nuk e kuptojmë dot botën pa sportin. Këtu fillon dhe angazhimi ynë, këtu fillon dhe rruga drejt rilindjes së sportit.”- deklaroi Rama.
Ndërsa deputeti Fidel Ylli theksoi se kjo është e para herë që një parti politike e ka prioritet sportin.
“Eshtë një draft ambicioz, që ka vënë në lëvizje dhe komisionet e tjera, pasi ne mendojmë që do të shtojmë orët e mësimit në shkolla. Duke shtuar orët e mësimit nëpër shkolla do të shtojmë mësuesit e edukimit fizik që marrin rrugët e emigrimit, ose kërkojnë punë për kamerier apo banakier. Partia Socialiste mendon dhe për punësimin nëpërmjet këtij programi dhe për edukimin dhe për shëndetin.”- deklaroi Ylli.
Në draft parashihet veç të tjerash shtimi i hapësirave sportive publike, kryesisht në shkolla, në mënyrë që të gjithë të rinjtë të mund të zhvillojnë aktivitetin tyre sportiv.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/