TIRANE, 13 mars 2013 – Deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli, ka akuzuar sot deputetin e PS-së, Taulant Ballën, se ka përfituar nga shitja e një toke dhe i ka kërkuar të japë dorëheqjen.

“Balla e ka shitur një pronë dhe ka përfituar nga kjo shitje sepse në deklaratën e tij të pasurisë, figuron një përfitim i siguruar nga shitja e një toke në zonën kadastrale Spitallë, Durrës”,- tha Kadilli.

Debati mes dy deputetëve nisi dje në një emision televiziv, gjatë të cilit deputeti demokrat akuzoi homologun e tij socialist se ka përfituar nga shitja e një prone. Në kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Kadillit, Balla tha se nëse vërtetohej një akuzë e tillë ai do jepte dorëheqjen.

Ndërkohë gjatë daljes sot para mediave deputeti Kadilli tha se kryesocialisti Rama, i detyron deputetët e tij të gënjejnë dhe të shpifin mbi kundërshtarët e tyre politikë. 

“Ne e dimë se Edi Rama i detyron deputetët e tij të gënjejnë dhe të shpifin për të tjerë, të sajojnë shifra për të dezinformuar opinionin publik. A i kërkoi Edi Rama Taulant Ballës të gënjejnë mbrëmë?”,- tha Kadilli.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/