ANGLI, 12 mars 2013 – Mediat britanike i kanë kushtuar ditën e sotme një rëndësi të veçantë situatës së rëndë të krijuar në mbare vendin për shkak të motit mjaft të keq që goditi mëngjesin e sotëm vendin ishullor. Një punëtor është në gjendje mjaft të rëndë si pasojë e goditjes nga një shtyllë e energjisë, që u rrëzua për shkak të stuhisë së dëborës.
Ndërkohë mësohet se edhe Franca e Belgjika janë goditur nga moti i keq i shoqëruar nga stuhi dëbore dhe reshje shiu. Për shkak të vështirësive në lëvizje, trenat super të shpejtë Eurostar, që lidhin Anglinë me kontinentin e vjetër, kanë anulluar të gjithë udhëtimet duke krijuar shumë anomali në lëvizjen e udhëtarëve që kanë mbetur të bllokuar në stacione hekurudhore.
Ndërkohë në verilindje të Anglisë është krijuar në autostradë një rradhe e gjatë prej 50 km për shkak të stuhisë së fuqishme të dëborës dhe për pasojë qindra drejtues automjetesh dhe kamionësh kanë mbetur të bllokuar për mëse 10 orë.
E njëjta situatë është regjistruar edhe në Belgjikë. Mëngjesin e së martës lëvizja e automjeteve u vështirësua përgjatë 1600 kilometrave të rrugëve belge, ndërkohë që vargu i automjeteve të bllokuara në trafik arrin një gjatësi prej rreth 200 km, njoftojnë mediat e Brukselit. Vështirësi në trafik janë raportuar edhe në Francë.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/