TIRANE, 12 mars 2013- Zëvendës ministri i Financave, Alfred Rushaj deklaroi të martën për mediat se nga heqja e TVSH-së për bujqësinë përfitojnë 350 mijë ferma në vend. Rushaj tha se nisma e ndërmarrë nga qeveria do ndikojë në zhvillimin e këtij sektori.
Duke folur për efektin financiar që do pasojë heqjen e TVSH-së, Rushaj theksoi se ai do të kapë shifrën 30 milionë euro. Sipas tij, ministria e Financave po harton aktet nënligjore në mënyrë që ligji për heqjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar të bëhet sa më shpejt funksional.
Zëvendsministri i Financave theksoi se pas heqjes së TVSH-së pritet një rritje e eksporteve të produkteve bujqësore. Ai bëri të ditur se nga viti 2008 eksportet dhe rieskportet bujqësore janë rritur me 140 %.
Qeveria miratoi një javë më parë vendimin për heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara që përdoren në bujqësi. Kjo politikë synon t’i ndihmojë fermerët t’i blejnë këto makineri dhe objekte bazë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral me një çmim 20 përqind më të ulët.
Nëpërmjet heqjes së TVSH-së për makineritë bujqësore dhe blegtorale, apo plehrat kimike, fermerët, përfitojnë rreth 30 milionë euro, duke i dhënë kështu një zhvillim të qëndrueshëm prodhimeve bujqësore si dhe duke rritur eksportet.