ITALI, 12 mars 2013- Konklava, që do të zgjedhë pasardhësin e Benediktit XVI, nis sot punimet. Pas zhvillimit të meshës solemne në bazilikën e Shën Pjetrit, do të mblidhen të gjithë kardinalët rreth orës 15:30 në Kapelën Sistina për të shënuar fillimin e konklavës, që do të zgjedhë pasardhësin e Papa Benediktit XVI, pas dorëheqjes së tij historike më 28 shkurt. E gjithë bota i ka sytë nga Vatikani.
Por kush janë favoritët në këtë garë? Buchmacher-sat anglezë kanë vendosur në një garë thuajse të barabartë italianët Angelo Scola dhe Tarcisio Bertone, por edhe ganezin Peter Kodwo Appiah Turkson. Për ndoshta më favoriti është Angelo Scola, 71- vjeçari nga Milano.
Gazeta “La Stampa” thotë se deri në 40 vota janë të sigurta për të. Italianët vetë kanë 28 vota në konklavë, vendi me më shumë vota në botë. Ndërsa revista “Gente” shkruan se edhe vetë Benedikti XVI do të kishte zgjedhur Scola-n. Scola, biri i një pastrueseje dhe një shoferi kamioni, ishte favorit edhe në vitin 2005, por atëherë ishte shumë i ri.
Ai është në krye të dioqezës së Milanos, më të madhes në Europë.Nga pikëpamja teologjike është brilant, njihet si konservator, por edhe si kozmopolit. Por ndaj tij ka edhe kritika, pasi është i afërt me rrjetin e politikanit Berlusconi. Se si do ecë gara, do na duhet të presim. Zëdhënësi i Vatikanit thotë se më shumë gjasë tymi i parë do jetë i zi. Sytë janë nga oxhaku mbi Kapelen Sistine. Në pritje të tymit të bardhë.