TIRANE, 12 mars 2013- Problemet financiare të deklaruara nga Ambasada shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zhvendosur sot në Komisionin Parlamentar të Jashtëm ku pozita dhe opozita kanë debatuar rreth kësaj çështjeje.
Anëtarja e këtij komisioni, Arta Dade tha se PS shpreh shqetësim mbi situatën me shërbimet diplomatike. Dade kërkoi që Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti të raportojë në Komision mbi problemin e buxhetit të ambasadave shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të botës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Fatos Bejës që ka theksuar se nuk mund të thirret një ministër të flasë mbi buxhetin e ambasadave, kur buxhetin nuk e ka miratuar ai.
“Nuk e thërrasim dot ministrin, se buxhetin e miratuam ne, në këtë këto komisione”.
Beja theksoi se duhet të bëhet fillimisht një kërkesë me shkrim mbi problemet konkrete.
Por Dade shtoi “ky është një problem urgjent që duhet të diskutohet dhe ne duam informacion të hollësishëm mbi këtë çështje. Kjo problematikë ka prishur imazhin e Shqipërisë”.
Reagimi i Panaritit dje
Pas denoncimit nga ambasadori Gilbert Galanxhi se Ambasada e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhet në krizë mbijetese, praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të plotë për të siguruar jetesën e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike, Panariti u shpreh se problemet në buxhet janë bërë të ditura dhe presin zgjidhje institucionale.
"Për shkak të situatave të imponuara nga kriza ekonomike dhe financiare dhe shumë vende të tjera po mbyllin selitë diplomatike dhe po reduktojnë financat për shërbimin e jashtëm diplomatik. Por, ju siguroj se Ministria, do të garantojë funksionimin normal të ambasadave dhe shërbimit diplomatik në vendet ku ajo përfaqësohet natyrisht duke pasur më përparësi qendrat tona kryesore si në Uashington, Bruksel dhe Kombet e Bashkuara. Nuk ka nevojë për panik. Shqetësimet për probleme në buxhet i kam bërë të ditura dhe kam pasur mbështetjen e dy kaheve politike. Problem i kërkon zgjidhje ndërinstitucionale, problemi është transparent. Jemi të hapur dhe nuk kemi gjë për të fshehur”, siguroi Panariti.
Skandali u denoncua në media
Mediat pak ditë më parë publikuan lajmin se në një letër që mban firmën e ambasadorit Gilbert Galanxhi, drejtuar në datën 3 mars 2013, Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Gazmend Turdiu, paralelisht për dijeni edhe kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, titullari zbulon se ambasada është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë as jetesën e përditshme të diplomatëve me paratë që i jep Qeveria e jo më funksionet diplomatike.