TIRANE, 11 mars 2013 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Socialiste shkëmbyen sot akuza në distanca sa i përket afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve nga partitë politike për anëtarët dhe sekretarët KZAZ-ve.

Në një deklaratë të saj, KQZ tha se kanë paraqitur propozimet e tyre brenda afatit ligjor, që është data 8 mars, PD, LSI dhe PBDNj, ndërsa PS nuk ka paraqitur asnjë propozim me dokumentet përkatëse.

I menjëhershëm qe reagimi i selisë rozë për këtë çështje.

“Partia Socialiste dëshiron të sqarojë opinionin publik se i ka dorëzuar propozimet për anëtarë të KZAZ-ve brenda afatit ligjor që parashikon Kodi Zgjedhor, sot me datë 11 mars 2013 ora 14.00, thuhet në deklaratën e PS-së.

Sipas Partisë Socialiste përmendja e 8 marsit si afat i fundit nga KQZ, është i qëllimshëm, pasi sipas saj, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar qartë se afati zyrtar kur subjektet duhet të paraqesin propozimet për anëtarë të KZAZ është 115 ditë nga dita e zgjedhjeve, që do të thotë 10 mars 2013.

PS tha se këto dalje të motivuara politikisht dëshmojnë qartë politizimin e administratës së këtij organi që është vënë në shërbim të partisë në pushtet.