SHBA, 11 mars 2013– Eduard Selami konfirmoi sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se ka marrë një ftesë nga kreu i PD-së, Sali Berisha për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit.

“Jam kontaktuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kam pranuar me kënaqësi në emër të PD-së. Hollësitë janë akoma shpejt. Unë do të nisem për të kontribuar në emër të PD-së, dhe e quaj një nder”,- tha Selami.

I pyetur se pse ka zgjedhur pikërisht këtë moment për tu kthyer në Shqipëri, Selami e tha se ky është një moment kthese dhe kyç për Shqipërinë.

“Shqipëria është në një pikë kyçe. Një fitore e PD-së do ta përshpejtojë progresin e Shqipërisë. Nëse humb PD-ja do të jetë humbje për të gjithë shqiptarët.”- tha ai.

Në takimet që ka patur me Berishën dhe bashkëpunëtorë të tij, Selami tha se ka ndjerë një frymë mirëkuptimi, patriotizmi dhe dëshira për të ndihmuar vendin të ecë përpara.

Eduard Selami rikthehet në skenën politike pas një shkëputje 15- vjeçare.