TIRANE, 11 mars 2013 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmjet zëdhënëses së tij, Drilona Hoxhaj, tha se tashmë kur ka përfunduar afati për “Ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor”, për paraqitjen e anëtarëve dhe sekretarëve, Partia Socialiste nuk ka paraqitur propozime.
Sipas Kodit Zgjedhor, Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor duhet të konstituohen deri në datën 23 mars dhe partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin këto propozime, duhet t’i kishin paraqitur ato deri ditën e premte, datë 8 mars.
Brenda afatit ligjor kanë paraqitur propozimet e tyre PD, LSI dhe PBDNJ, ndërsa Partia Socialiste deri më sot nuk ka paraqitur asnjë propozim me dokumentet përkatëse.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje Partisë Socialiste të paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur propozimet për anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor në përmbushje të detyrimit që Kodi Zgjedhor i ngarkon këtij subjekti politik.