TIRANË, 11 mars 2013– Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi sidomos në fushën energjitike, ishin të qendër të takimit mes ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti dhe ministrit të jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare dyditore.
Pas takimit të mbyllur për mediat, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, ministri Panariti informoi për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe të një marrëveshje për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar.
"Marrëveshjet i shërbejnë materializimit të frymës së vullnetit të mirë për të çuar përpara axhendën e përbashkët edhe në fusha të tjera si turizëm, infrastrukturë dhe sidomos në fushën energjitike, ku tashmë do të materializohen projekte shumë të rëndësishme, siç është linja 400 kw midis Elbasanit dhe Podgoricës", tha Panariti.
Më tej, ministri shqiptar tha se i propozoi homologut malazez mbështetje për projektin TAP, përmes nënshkrimit të një memorandumi të përbashkët. "I propozova ministrit që të nënshkruajmë një memorandum të përbashkët mirëkuptimi jo vetëm me Malin e Zi, por dhe me vende të tjera të rajonit për të mbështetur projektin TAP. Jam i kënaqur që pata mbështetjen e tij në këtë drejtim pasi shanset që TAP-i të jetë fitimtar do të jenë edhe më të mëdha", theksoi Panariti.
Nga ana e tij, ministri Lukshiç, theksoi se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve i kontribuojnë stabilitetit në rajon dhe kësaj i shërben dhe nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe. Sipas tij është e domosdoshme që dy vendet të avancojnë më tej në procesin e integrimit europian, sidomos kur është fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor
Lushkiç tha se e priti me gëzim propozimin e homologut Panariti për gazsjellësin TAP, projekt që sipas tij është me rëndësi për Malin e Zi, me qëllim diversifikimin e burimeve të energjisë.
"Ne jemi shumë të interesuar për projektin TAP dhe kemi pasur rastin që të bisedojmë për këtë me përfaqësues të Azerbajxhanit, Turqisë dhe Kroacisë. Fatkeqësisht, në Mali të Zi nuk ekziston infrastruktura e gazsjellësit dhe jemi shumë të iteresuar për ta vendosur atë", tha ministri Lushkiç.
Axhenda
Me ftesë të ministrit të Jashtëm Edmond Panariti mbërriti sot për një vizitë dy ditore në Tiranë Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm dhe Integrimit Evropian i Malit të Zi, Igor Lukshiç.
Në orën 10:00 Lukshiç do të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti ndërsa më pas do të nënshkruhen edhe dy marrëveshje, për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar.
Në axhendën e vizitës, përveç bisedimeve zyrtare ndërmjet dy Ministrave të Jashtëm dhe konferencës së përbashkët për shtyp, janë parashikuar takime të ministrit Lukshiç me Presidentin Bujar Nishani, me kryeministrin Sali Berisha, me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, me kryetarin e PS-së Edi Rama si dhe me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Ekonomise,Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, ministri malazez Lukshiç do të takohet me kreun e LSI-së, Ilir Meta dhe me përfaqësues të minoritetit malazez në Shqipëri. Në kuadër të kësaj vizitë do të mbahet edhe Forumi Ekonomik Shqipëri-Mali i Zi.