TIRANË, 11 mars 2013– Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të dekorojë sot me “Urdhrin e Flamurit” simbolin e demokracisë shqiptare, Azem Hajdari. Ceremonia që do të zhvillohet në mesditë në Presidencë do të shoqërohet edhe me aktivitete të tjera të organizuara nga protokolli i shtetit.
Aktivitetet përkujtimore të nderimit zhvillohen në 50-vjetorin e ditëlindjes së heroit të demokracisë. Në orën 16:00, në sallën “Iliria” në Qytetin Studenti, do të zhvillohet një sesion përkujtimor me pjesëmarrjen e figurave të njohura të Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990, por dhe krerët e lartë të shtetit.
Kryeministri Sali Berisha do të përshëndesë këtë sesion duke risjellë edhe një herë në vëmendje kontributin e Azem Hajdarit, i cili udhëhoqi protestat e studentëve dhe grevën e urisë që kishte si qëllim vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri në dhjetor 1990. Më pas, homazhe dhe vendosje buqetash do të bëhen në shtatoren e Azem Hajdarit, të vendosur pak muaj më parë në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti.
Gjatë gjithë ditës së sotme, në Qytetin Studenti do të ketë aktivitete dhe muzikë të organizuar nga Drejtoria e Qytetit Studenti. Është hera e parë që festohet dita e lindjes së studentit të guximshëm nga Tropoja, i cili u përball për herë të parë me ish-presidentin Ramiz Alia, duke i parashtruar kërkesat e studentëve protestues dhe grevistë të urisë. Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike, ndërsa shkrimtari Ismail Kadare e cilësoi si vrasja e shekullit. Irritimi i kortezhit që shoqëronte trupin e Azem Hajdarit më 14 shtator 1998, ditën e varrimit të tij, krijoi trazira të përgjakshme në Tiranë. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2002 dekoroi Azem Hajdarin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.