TIRANË, 11 mars 2013-Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi prezantoi sot paketën e masave për ashpërsimin e dënimit për disa vepra penale.
Në një tryezë me anëtarë të qeverisë dhe ekspertë të huaj që kanë marrë pjesë në hartimin e kësaj pakete, Halimi theksoi se dënimet e parashikuara nuk do të zmbrapsen as nga avokati, as nga prokurori apo gjyqtari, pasi dënimet do të jenë definitive.
Ministri Halimi theksoi se kjo paketë përmban ligjet më të ashpra ndaj krimit të ndërmarra në këto 20 vitet e fundit. Ai theksoi se çdo person që kryen veprat penale që parashikon paketa nuk mund ti shpëtojë dënimit pa 40 vjet burg dhe se as ryshfetet nuk e shpëtojnë dot nga hekurat e qelisë.
“Ne do kërkojmë garantimin e plotë të dënimit, në mënyrë që dikush të dënohet me 40 vjet burg pa pasur mundësi të lirohet pa pasur mundësi të paguajë avokatin, prokuroren apo gjyqtarin”.
Sipas ministrit Halimi kjo paketë prej 41 nenesh ka në themel të saj krimet më të rënda dhe më të papranueshme të shoqërise shqiptare si vrasjen e policit, vrasjen për gjakmarje, vrasjen e gruas dhe për mbajtjen e armëve të zjarrit pa leje në publik.
“Vrasja e policit
Kushdo që vret efektivë policie nuk mund të këtë ndëshkim më të ulët se 38-vjet burgim, pa lirim me kusht. Kushdo që vret policin duhet të qëndrojë në burgim të përjetë. Dënime të ashpërsuara të cilat nga 25 vjet do të rriten në 38 vjet si minimum.
Vrasje për gjakmarrje
Paketa e Drejtësisë Kriminale sjell edhe për vrasjen për gjakmarrje, ku dënimi që ne kemi parashikuar është jo më pak se 38 vjet burg. Edhe pse një dukuri në rënie, gjakmarrja, ky rit i papranueshëm për shoqërinë shqiptare duhet të zhduket. Ndaj dhe përgjigja ndaj të gjithë atyre që në mendjen e tyre kriminale synojnë të vrasin për gjakmarrje duhet ta kenë të qartë se dënimi që i pret do të jetë jo më pak se 38 vjet burg, se dënimi që i pret do të jetë burg përjetë. Çdokush që kapet me armë zjarri në publik, duhet ta ketë qartë se do dënohet jo më pak se 10 vjet.
Vrasja brenda familjes
Kush vret një grua, një vajzë brenda familjes, jo më pak se 38 vjet burg deri në burgim përjetë. Por, minimumi 38 vjet.
Armëmbajtje pa leje në publik
Kush kapet me armë në publik, ka mjetin për t’u kthyer në vrasës apo grabitës potencial për jetën e njeriut. Me armë në publik nuk mund të dënohet më pak se 10 vjet burg. Kush del me armë zjarri në Pazar minimali është 10 vjet dhe nuk e ndihmon as gjykata as prokurorja as avokati, të dalë më parë se 10 vjet nga burgu”, tha Halimi duke prezantuar pikat kryesore te Paketes.
Ministri theksoi se këto dënime nuk parashikojnë në asnjë rast, lirimin me kusht të kriminelit.
“Përjashtimi nga lirimi me kusht të cdo personi që kryen veprat e kryera që rendit Paketa”.
Ministri garantoi se në javët në vijim, paketa do të kalojë në Parlament dhe mazhoranca do të angazhohet që kjo paketë të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur.