TIRANE, 10 mars 2013 – Në një shkrim të botuar sot në të përditshmen “Shqiptarja.com” nënvizohet fakti se kryeministri Sali Berisha pritet të lërë jashtë listave 16 deputetë të mazhorancës. Në një kohë kur 23 qershor po afron dhe fushata elektorale ka nisur nga të dyja kampet kreu i mazhorancës është duke piketuar shpërndarjen e njerëzve të tij të besuar në qarqet e vendit. Po sipas kësaj gazete “Berisha ka dërguar në qytetin bregdetar të Durrësit, madje kanë filluar punën në zonat e përcaktuara në të cilën do të jenë në listat prioritare rajonale të PD për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti, të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në kryeministri, por dhe në dikastere të ndryshme”.

“Konkretisht, tashmë është i sigurt kandidimi i Drejtorit të kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja dhe kandidatit për president të PD Artan Hoxha në qarkun e Durrësit, kandidim që nxjerr jashtë loje tre deputetë aktualë të PD, ku ende mbetet mister cili do të dalë”,- nënvizohet në artikull.

Ndërkohë në Tiranë do të kandidojë prefekti Keltis Kruja e zv.ministrat Eno Bogzo, Taulant Bimo dhe Edit Harxhi, të cilët dhe këta tre do zhvendosin nga lista e sigurt e qarkut të Tiranës deputetë aktualë. Në Kukës pritet të futen në listat e kandidatëve për deputetë Avenir Peka e Isuf Çela, të dy këta do zhvendosin dy deputetët aktualë, duke qenë se vetëm ministri Flamur Noka është në krye të listës.

Duke u ndalur në disa qarqe të tjera të rëndësishme të vendit, të cilat nxjerrin një numër të konsiderueshëm deputetësh dhe konkretisht në Fier, Vlorë dhe Korçë, gazeta prezanton ata që sipas saj do të jenë kandidatët që do të kryesojnë listat e deputetëve në qarqet më të mëdha të jugut.

“Ndërsa në Fier zv.ministri Alfred Rrushaj, në Elbasan botuesi Fahri Balliu dhe i rikthyeri ish-kreu i PD Eduard Selami, në Vlorë Arben Qirjako dhe dy këshilltarët e kryeministrit Glori Hysi e Petraq Milo, në Korçë Eduard Ypi dhe këshilltarja Suzana Guxholli dhe në Berat Astrit Veliaj dhe Dhori Kule, do bëjnë zhvendosjet përkatëse, duke larguar jashtë listës prioritare deputetët aktualë”,- thuhet në shkrim.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/