POLICAN, 10 mars 2013 – Drejtuesit e FRD-së zhvilluan një takim me simpatizantë dhe mbështetës të kësaj force politike në Poliçan, ku dhe shpalosën projektin politik dhe ekonomik në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit. 

Sipas kreut të FRD-së, Bamir Topi politika e vjetër është shndërruar në problem për qytetarët shqiptarë sepse është një politikë larg realitetit të vendit.

“Kryeministri i vendit në vend që të marrë pjesë në takime të drejtpërdrejta me qytetarët, fshihet pas realitetit të tij virtual, duke bërë që hendeku midis këtij kryeministri abuziv dhe popullit të jetë shumë i thellë. Ky kryeministër është në hall sepse ndjen fundin e tij dhe të politikës anti-qytetare”- tha Topi.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i FRD-së Gazmend Oketa shprehu bindjen se më 23 qershor vota e qytetarëve të Poliçanit dhe të gjithë Shqipërisë do të rrëzojë filozofinë e vjetër dhe fitorja e FRD-së do ta vërë shtetin në funksion të qytetarëve.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/