PRISHTINE, 10 mars 2013– Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik e Policisë së Kosovës, gjatë një operacioni policor ka arrestuar katër persona me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Operacioni policor është realizuar dje në disa lokacione të ndryshme të Kosovës dhe atë në Gjakovë, Podujevë dhe në pikë kalimin kufitar Qafë-Morinë.
Njësitet policore të DHTN-së pas konsultave me prokurorin kujdestar të prokurorisë themelore kanë marrë autorizimin për kontrollimin e shtëpisë së një të dyshuarit në Podujevë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në Podujevë, në bagazhin e veturës Seat Toledo është gjetur një rrotë e veturës e cila ka qene e prerë në një pjesë ku vërehej se në brendi ishte e mbushur me substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.
Zyrtarët policorë pasi kanë hapur gomën në të kanë gjetur 7 paketime te mbushura me marshuanë ku të gjitha së bashku me mbështjellës peshonin 4 kg e 259 gram.
Operacioni policor ka vazhduar edhe në pikë kalimin kufitar të Qafë-Morinës ku policia ka arrestuar dy të dyshuar shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Si rezultat i këtij operacioni në total janë arrestuar katër të dyshuar (dy shqiptarë nga Kosova dhe dy shtetas të Shqipërisë) të cilëve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.