TIRANE, 10 mars 2013- Kriza ekonomike ka rritur jo vetëm varfërinë në një pjesë të madhe të vendit, por ka ulur ndjeshëm cilësinë e të ushqyerit.
Studimi më i fundit i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i cili u shtri në 6 qytete, në Tiranën rurale, Kukës, Has, Tropojë, Shkodër, Pukë dhe Malësi të Madhe, ka treguar se mishi, frutat dhe perimet, në përqindjen më të lartë janë 'zhdukur' nga tavolinat e familjeve shqiptare, duke rritur së tepërmi kequshqyerjen.
Pjesa më e madhe e të ardhurave familjare, pra rreth 70-75%, shkojnë për blerjen e artikujve ushqimorë. Të anketuarit pohojnë se në menynë e tyre javore, mishi i viçit është zëvendësuar me atë të pulës; frutat, perimet dhe ëmbëlsirat janë hequr nga lista e ushqimeve që ata mund të përballojnë me të ardhurat e tyre.
Të vetmit artikuj që ata vijojnë të blejnë pavarësisht çmimit janë vaji për gatim, sheqeri, buka, qumështi, patatja dhe fasulja. Një pjesë e madhe e shqiptarëve që jetojnë në zonat rurale të kryeqytetit, si dhe në veri të vendit, ushqehen me sasi më të vogla ushqimesh dhe nuk kanë mundësi të blejnë produktet e rëndësishme për fëmijët e tyre dhe për vete.