DURRES, 09 mars 2013 – Gjatë një takimi me forumin rinor të LSI-së në Durrës, kreu i kësaj partie Ilir Meta i bëri apel partive politike që të gjejnë sa më shpejt konsensus që të miratohen 3 ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Jemi distancuar nga çdo lloj konflikti politik që i bëhet barrikadë ecjes më të shpejtë të vendit drejt BE-, sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, do të ecim më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Ne nuk duam që Shqipëria të regjistrojë shanse të humbura, sepse ne nuk duam të humbasim trenin e radhës, dhe projekte apo financime të cilat do të hapnin mijëra vende punë për të rinjtë në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë”,- tha Meta.

Ndër të tjera, Meta tha se të rinjtë dhe të rejat janë në qendër të LSI dhe kujdesi për ta është në qendër të vëmendjes.

“Jam krenar për LRI-në e Durrësit, për atë që keni arritur përmes këtij solidariteti të jashtëzakonshëm, ashtu sikurse jam krenar për LRI-në e gjithë Shqipërisë, pasi ju jeni e sotmja e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë, dhe këtë do e tregoni më mirë me 23 qershori. Jam shumë i lumtur se ju pashë të veshur si marinarë, pasi të rinjtë dhe të rejat e Durrësit duan të ankorojnë sa më parë në BE”,- tha Meta.

Meta e vuri theksin tek stabiliteti dhe standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat i cilësoi më të rëndësishme se gjithçka tjetër.

“Kemi dëgjuar, madje edhe nga ndonjë diplomat se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të egra”,- vijoi Meta, duke shtuar se s’ka pse të jetë kështu, pasi zgjedhjet duhet të jenë demokratike, të ndershme dhe të drejta dhe sipas tij, çdo qytetarë duhet të votojë për alternativë që ofron një perspektivë më të mirë.

Ndërkohë, deputeti i LSI-së, Lefter Koka, i cili ka qenë edhe kryetar i Bashkisë së Durrësit, përshëndeti të rinjtë e LSI-së, duke i konsideruar si forca frymëzuese e kësaj partie.

Ai shtoi më tej, se LSI ka synim kryesor vetëm integrimin e vendit në BE.  “Sot entuziazmi juaj na bën te ndihemi më krenar për të ardhmen e Shqipërisë. Si forcë politike ndihemi fatlum që kemi këto djem dhe vajza.”

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/