ATHINË, 9 mars 2013 –Skandali i policisë kufitare greke, për një “s” (ς-sigma) që nuk e vë gjendja civile, fjala “Pire” bëhet “e Shtunë”, kështu dëbohet në Kakavijë nxënësja shqiptare e klasës VI (në klasën I në Shqipëri në abetare fëmijëve u mësohet se: “për një “d-ë” që nuk e vë, fjala “derë” bëhet “erë”!). Kësaj ngjarjeje i bëhet jehonë në mediet e Athinës, që përmendin edhe rastet e kthimit mbrapsht në kufi të shqiptarëve në pasaporta e të cilëve për toponimet përdoret gjuha shqipe .

Sindikata e Arsimit e Pireut që i takon PAME-s (Panergatiko Agonistiko Metopo – Fronti Militant Mbarë-punëtor), në një deklaratë për mediet, denoncon qeverinë greke për qëndrim të pandjeshëm ndaj një nxënëseje shqiptare e klasës së gjashtë në një shkollë në Pireut, e cila u bllokua në Shqipëri, larg prindërve dhe ndërkohë ka humbur mësimet pasi është larg mjedisit shkollor.

Sipas sindikatës së mësuesve të Pireut, nxënësja e klasës së gjashtë “shkoi më 21 shkurt në Shqipëri së bashku me familjen, duke kaluar të gjitha kontrollet e autoriteteve greke dhe shqiptare. Kur më 24 shkurt po kthehej në Greqi, u ndal në pikën greke të kontrollit kufitar për shkak se në pasaportë ishte shkruar gabim vendlindja, ku në vend të “Peiraiás” shkruhej “Peiraiá” (këtë gabim nuk e kishte vënë re policia kur kaloi kufirin për të shkuar në Shqipëri!)”, çuditen mësuesit grekë,  gjë për të cilën nuk duhet fajësuar në asnjë rast vajza dhe familja e saj, thuhet në komunikatën për shtyp.

Si rezultat, autoritetet lejuan nënën e saj që erdhi për të kaluar në Greqi, ku ajo punon, ndërsa nxënësen e detyruan të kthehej në shtëpinë e saj në fshat, ku është pritur nga halla.

Qeveria greke me anë të mekanizmave të kontrollit ndan fëmijët nga prindërit e tyre, shkruajnë të revoltuar sindikalistët.

Vlen të theksohet se me pengesa burokratike të ngjashme janë përballuar dhe emigrantë të tjerë nga Shqipëria, për shkak të emrit të Greqisë në pasaportat e tyre që ndryshon nga GREECE i përdorur në BE, thuhet në komunikatë.

Sindikata e mësuesve grekë të Pireut kërkon zgjidhje e menjëhershëm të problemit nga qeveria dhe kthimin e nxënëses në Greqi. Po ashtu bëhet thirrje për legalizimin e të gjithë emigrantëve me procedurë të thjeshtë, ndërkohë që i janë drejtuar Organizatës Ndërkombëtare  të Punës së OKB-së.

Rasti ka marrë përmasa të mëdha, saqë kanë detyruar deputetin e PKG-së Ioani Kristou Giokas t’i drejtohet Sekretarit të Arsimit, Teodore P. Papateodorou, duke i kërkuar zgjidhjen e problemit dhe kthimin e nxënëses në shtëpi te prindërit e saj në Pire dhe në shkollë, shkruan e përditshmja e Athinës “Rizospastis”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/