ITALI, 09 mars 2013- Një ditë pasi u dënua me një vit burg për skandalin e përgjimeve, ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni nuk është paraqitur në një tjetër proces gjyqësor, atë të “Ruby”, për shkak të disa problemeve shëndetësore.
Sipas avokatëve, kavalieri është ndjerë keq gjatë natës për shkak të problemeve me shikimin dhe është shtruar në një klinikë të Milanos.
Për këtë arsye, është pezulluar edhe seanca e sotme e procesit, ku Berluskoni akuzohet se ka shkuar me minorene kundrejt një pagese të caktuar.
Përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, Berluskoni ka paraqitur në gjykatë dy certifikata mjekësore, në të cilat vërtetohen problemet e tij me shëndetin.
Për këtë arsye, ai ka anulluar edhe një takim me Mario Montin, në kohën kur Italia vuan mungesën e kompromisit për një qeveri, pas zgjedhjeve të 24 e 25 shkurtit.