Asociacioni i komunave serbe, duke qenë se po ngjizet me Dacicin në Bruksel, është tradhti e Thaçit ndaj shtetit të Kosovës. Nuk ka rëndësi, në fund të fundit, se çfarë kompetenca do të ketë ai asociacion. Me vetë faktin që po realizohet në bashkëpunim me Serbinë paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës”, thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Kjo Qeveri ka hyrë në bisedime me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa asnjë kusht për Serbinë. Ne shumë mirë e dimë që edhe në kohë të luftës Kosova i ka vënë kushte Serbisë për çfarëdo dialogu me të. Edhe në kohën e robërisë e okupimit ka vepruar njësoj. Kjo tregon që po sillemi në mënyrë më pak sovrane, sesa në kohën e luftës dhe të okupimit e robërisë serbe”, ka thënë Kurti për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, dialogu politik nuk është nisur për hir të Kosovës, por për hir të Serbisë – rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian.

“Me dialogun teknik, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, e me dialogun politik ajo do ta fitojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Kurti thekson se asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë një entitet territorial dhe administrativ, sepse komunat janë njësi territoriale e administrative.

“Tashmë e themeluan edhe një fond për zhvillim, prandaj po sajohet një entitet i ndarë përbrenda Kosovës, i cili është i ndarë etnikisht, territorialisht, administrativisht dhe financiarisht. Asociacioni i komunave serbe, siç po quhet, duke qenë se po ngjizet me Dacicin në Bruksel, është tradhti e Thaçit ndaj shtetit të Kosovës. Nuk ka rëndësi, në fund të fundit, se çfarë kompetenca do të ketë ai asociacion. Me vetë faktin që po realizohet në bashkëpunim me Serbinë paraqet tradhti ndaj shtetit të Kosovës”.

Lideri i VV-së thotë se Thaçi po lejon që në Bruksel të bëhet një interpretim ultra-liberal i planit të Ahtisaarit në dëm të Kosovës, e në favor të Serbisë.

“Në të gjitha negociatat ku ka marrë pjesë kryeministri Thaçi, ai rregullisht ka bërë koncesione drejt kompromisit të madh. Nuk mund të thuhet që ky asociacion do të jetë brenda Kushtetutës me vetë faktin që për të po merresh vesh me Dacicin”.

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri aktual, vazhdimisht e përmend pavarësinë e Kosovës. Kurti deklaron se asnjë shtet normal nuk e përmend kaq shpesh pavarësinë, sikurse Kosova.

“Kjo është simptomë e dyfishtë. Së pari, e faktit që kjo pavarësi nuk është e plotë. Së dyti, e faktit që ajo edhe kështu si është, gjithsesi është shumë e rrezikuar. Fundja pavarësinë një shtet e përmend kur është i kërcënuar apo kur kërcënon. E, në rastin e Kosovës është shembulli i parë”.

Kurti mendon se nuk është Mitrovica problem i Kosovës, sa është Qeveria e Kosovës problem i Mitrovicës.

“Mendoj që dialogu me Serbinë i shkon për shtati Serbisë, me ç’rast Beogradi i afrohet Brukselit, e veriu i Kosovës i afrohet Beogradit. Shteti e ka monopolin e forcës dhe unë mendoj se ndaj kriminelëve të dhunshëm natyrisht që duhet të përdoret forca e ligjit”.