Tiranë, 09 mars 2013 – Pagesa on-line e taksave dhe tatimeve si dhe marrja e informacionit nëpërmjet celularit, i ka krijuar shumë lehtësi biznesit. Koha është shkurtuar dhe shërbimi elektronik ofrohet në çdo skaj të vendit. Vetëm në pak ditë rreth 700 subjekte kanë shkarkuar nga telefoni mobil informacion për detyrimet fiskale. Redial Rista, Drejtori i Teknologjisë së Informacionit, tek Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në një intervistë për AS, tregon mbi ecurinë e dy projekteve.

"Organizojmë një takim masiv me të gjitha bankat për njohjen e biznesit me këto shërbime të reja. Kanë filluar trajnimet, kanë filluar njohja e këtyre shërbimeve. Ende nuk kemi pagesa elektronike. Prezantimi i taksave në celular, në mobile, ka arritur në një shifër rreth 700 aplikuesisht. Potencialisht 700 biznese e kanë shkarkuar aplikacionin në mobile dhe kontrollojnë taksat e tyre përmes mobile pavarësisht vendondodhjes"- thotë Rista.

Tatimpaguesit mund të paguajnë për llogari të tatimeve me një klikim çdo taksë online dhe kjo zgjat vetëm pak sekonda.

"Nëpërmjet mobile është çështje sekondash sepse çdo gjë është në kohë reale. Është online"- thotë Rista.

Dy shërbimet m-TAX dhe e-Pagesa, ofrojnë mundësi që nëpëmjet telefonit të kryhet një veprim bankar nga biznesi si dhe të merret informacion për çdo lloj detyrimi.

"Çdo biznesi që ka aplikacionin mobile nuk është më e nevojshme të vijë në zyrën e taksave e tatimeve për të marrë informacion sa janë deklarimet e tij, sa janë pagesat e tij sepse këto janë në celular. Çdo shërbim i ofruar nga administrata tatimore është pa pagesë. Është i shtrirë në të gjithë vendin. Nuk kufizohet nga vendndodhja e biznesit. Nuk ka limit në hapësirat gjeografike"- thotë Rista.

Dy projektet në fjalë kapin vlerën 23 milionë lekëve, të finacuara nga buxheti i shtetit. Pritet që shërbimi i pagesës së taksave on-line të ofrohet edhe për administratën tatimore. 

/Teuta Shamku, AlbanianScreen/