TIRANË, 09 mars 2013 – Fryma e Re Demokratike e nisi nga arsimi ciklin e tryezave që do të organizojë në kuadër të përmbylljes së programit politik.
Kryetari i FRD-së Bamir Topi nënvizoi domosdoshmërinë e sinkronizimit të standardeve të arsimit shqiptar me standardet evropiane, për të përmirësuar cilësinë dhe kushtet.
Sipas Topit, ky lloj sinkronizmi nuk mund të bëhet as nga studentët e as nga prindërit, por nga politika në bashkëpunim me ekspertët.
“Ne kemi filluar një cikël tryezash për çështje të rëndësishme, për të cilat ne kemi vizionin tonë politik. Kur filluam të diskutojmë me çfarë tematike do ta iniciojmë komunikimin, të gjithë ishin të një mendimi, ta fillojmë me arsimin, sepse është elementi bazal. Të thuash sot në vitin 2013 se gjithçka fillon nga e para do ishte gabim. Ne sot jemi në një moment kur arsimi shqiptar krahas progresit ka dhe problematikën e vet. Politika nuk është më si në vitin 92, kanë kaluar 20 vjet dhe të gjitha gjërat vijnë duke u perfeksionuar. Sot ka me dhjetëra-mijëra që studiojnë në universitetet jashtë Shqipërisë dhe dhjetëra-mijëra që studiojnë në Shqipëri. Të marrim vërejtjet, këshillat sepse tek e fundit ky është një program paraprak, sepse programi përfundimtar do të jetë ai që do të përmbyllet në muajin prill.”- deklaroi Topi.