TIRANË, 09 mars 2013 – Italia do të mbështesë vendin tonë në projekte rajonale dhe ndërkufitare me fokus mjedisin. Garancia iu dha ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, nga homologu italian, Corado Clini.
Mediu zhvilloi një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku pati edhe një takim shumë të rëndësishëm me Ministrin e Mjedisit, Ujërave dhe Tokës së Italisë, Clini, në qendër të të cilit ishte bashkëpunimi rajonal.
“Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë, si në projekte, ashtu edhe në logjistikë apo edhe burime njerëzore për të trajnuar ekspertët tuaj. Gjithashtu, ne do të mundohemi t’i japim përparësi CDM-ve (Clime Development Mechanisem), projekte të cilat do të shërbejnë si një gjenerator në fushën e mjedisit”, u shpreh Clini.
Duke e falenderuar Clinin për gatishmërinë dhe vullnetin që ka shprehur në vazhdimësi për të ndihmuar me projekte Shqipërinë, Mediu tha se “vetëm duke vepruar të gjithë në mënyrë të unifikuar, ne dhe fqinjët tanë mund të zhvillojmë zonat me ekosisteme jetike për rajonin, siç janë Alpet, apo liqenet dhe lumenjtë e përbashkët që kemi”.
Në përfundim të takimit, për të garantuar vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi, u ngritën dhe grupe që do të propozojnë projekte konkrete në fushën e mjedisit, ndryshimeve klimatike dhe energjive te rinovueshme.
Më herët, Mediu pati takime edhe me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, Peter Ivanoviç. Në takim u bisedua mbi bashkëpunimit në sektorin e pyjeve dhe atë të menaxhimit të ujërave, veçanërisht të basenit të lumit të Bunës për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet e prodhimeve bujqësore.
Nga të dy palët tashmë është duke u punuar në shtratin e lumit Buna, duke konkretizuar në masa konkrete një volum të mirë të projekteve të nënshkruara për parandalimin e përmbytjeve. Të dy ministrat shprehën vlerësimin për grupet reciproke të punës, të cilët deri tani kanë ecur me ritme mjaft të kënaqshme.