BRUKSEL, 8 mars 2013 – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton (Catherine Ashton), e cila po ndërmjetëson bisedimet në nivel kryeministrash midis Kosovës dhe Serbisë, do të takohet me përfaqësuesit e të dyja vendeve.
Lajmin e ka konfirmuar zyra e zonjës Eshton. Ajo fillimisht do të takohet më 11 mars në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç dhe zëvendësin e tij, Aleksandar Vuçiç.
Tre ditë më vonë, më 14 mars, baronesha Eshton do të vizitojë Prishtinën, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderët e partive politike në Kosovë, njofton Radioja Evropa e Lirë.
Takimet cilësohen si konsultime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Raundi i ardhshëm i këtij dialogu mbahet në Bruksel më 20 mars.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/