DURRËS, 8 mars 2013 –Gjashtë “mosketierë” durrsakë, njerëzit më të afërt të Kryeministrit Sali Berisha, do të jenë të sigurt në listën e PD-së në zgjedhjet e  23 qershorit.

E përditshmja “Shqip” bën të ditur në Qarkun e Durrësit, priten disa surpriza nga Partia Demokratike, siç është dhe kandidimi në krye të listës i sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Gjergj Lezhja (shih foton), dhe po kështu i shefit të kabinetit të Kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi.

Stafi personal i kreut të PD-së, Berisha, në Kryeministri ka gjasa të mbajë një peshë të rëndësishme në fushatën dhe më pas në zgjedhjet në këtë qark.

Nga ana tjetër, burimet e së përditshmes bëjnë të ditur se si kandidaturë për këtë qark të rëndësishëm do të jetë deputetja aktuale e PD-së, Albana Vokshi.

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, pritet të renditet i treti në listën e demokratëve për Durrësin.

Oerd Bylykbashi është llogaritur të jetë i katërti në listën e deputetëve për këtë qark, i cili nxjerr dhe 13 mandate deputetësh.

Po kështu, kreu i PD-së së Durrësit njëkohësisht deputeti i PD-së, Igli Cara, pritet të jetë në një vend të favorizuar.

Nga ana tjetër në listën e Durrësit për PD-në mund të përfshihet dhe emri Ferdinad Xhaferajt, por nuk dihet ende se ç’numër rendor pritet të zërë, thotë gazeta “Shqip”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/