SHKUP, 08 mars 2013– Rasti i importimit të qumështit me elementë të dyshimtë kancerogjenë nga një prodhues kroat i ka alarmuar institucionet përgjegjëse për cilësinë e ushqimeve në Maqedoni, raporton radioja gjermane DW.

Analizat laboratorike të kryera në Maqedoni në prodhimet e qumështit të importuar nga Kroacia të firmës “Dukat” kanë provuar rritjen e aflatoksinës M1. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në bashkëpunim me Fakultetin e Veterinarisë në analizat e bëra kanë konstatuar praninë e aflatoksinës M1 me vlerë mesatare prej 0,152 mikrogram për kilogram. Këto rezultate janë evidentuar në mostrat e marra nga 360 litra të prodhuesit kroat të qumështit “Dukat”. Me urdhër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dërgesa e këtij qumështi është asgjësuar dhe për një periudhë është dhënë urdhër për ndalimin e importimit të prodhimeve nga fabrika kroate.

Agjencia e Produkteve Ushqimore ka marrë vendim të ri, i cili është i detyrueshëm për të gjithë distributorët, që realizojnë importin e prodhimeve të qumështit. Sipas kësaj rregulloreje nuk lejohet të dalë në tregun e shitjes qumështi pa siguruar, se cilësia e tij u përgjigjet standardeve për ushqimin. Të gjitha fabrikat e qumështit duhet të kenë dëshminë se qumështi është analizuar dhe se nuk përmban aflatoksinë përtej kufirit maksimal të lejueshëm prej 0,05 mikrogram për kilogram. Drejtori i Agjencisë së Produkteve Ushqimore, Dejan Runtevski, shprehet se janë përforcuar edhe monitorimet ndaj qumështit të papërpunuar vendas. “Në asnjë mostër të qumështit të papërpunuar që është marë nga të gjitha rajonet e vendit nuk është konfirmuar prani e palejueshme e aflatoksinës. Ne vazhdojmë kontrollin e rreptë edhe të importit të qumështit nga jashtë”, thotë Runtevski.

Në 25 mostrat që janë marrë për analizën e qumështit, kosit dhe produkteve të qumështit është konstatuar se nuk ka prani aflatoksinë mbi sasinë maksimale të lejueshme, sipas parashikimit në rregulloren për sigurinë e ushqimeve.

Sa të mjaftueshme  janë rregulloret për cilësinë e ushqimit?

Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Dimovski në Maqedoni përveç qumështit të importuar kontrollohet rregullisht edhe ushqimi i importuar për bagëtinë, veçanërisht nga vendet fqinje.

“Kryhet kontroll në çdo prodhim ushqimor dhe bujqësor të importuar, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i konsumatorëve të vendit”, shprehet ministri Dimovski.

Në Maqedoni ekzistojnë dhjetëra agjenci dhe një sërë ligjesh përmes të cilave duhet të mbrohen konsumatorët nga cilësia e prodhimeve ushqimore, që lenë për të dëshiruar. Por edhe pse ka kontrolle rigoroze në raftet e dyqaneve gjenden edhe prodhime me cilësi të dyshimtë. Inspektorët e Agjencisë së Produkteve Ushqimore pas vizitave në dyqanet, ku bëhet shitja e mishit, kanë vënë re mungesën e deklaratës për prejardhjen dhe llojin e mishit si dhe detajet se në cilën fermë është mbajtur bagëtia. “Nga 111 dyqane të inspektuara, në 74 prej tyre është vërejtur mungesa e deklarimit përkatës për prodhimin e shitur. Sipas rregullores, shitësi e ka të detyrueshme të sigurojë informacionet e duhura për konsumatorin, për prodhimin që blen”,  thotë drejtori i Agjencisë së Ushqimit Dean Runtevski.

Nëse shitësit e prodhimeve të mishit nuk i shmangin mangësitë në afatet që iu janë dhënë nga inspektorët, atyre mund t'u shqiptohet kallëzim për kundërvajtje. Dënimet e parashikuara për raste të tilla janë nga 2 mijë deri në 5 mijë euro gjobë, ndërsa dënimi më i rëndë parashikon heqjen e licencës dhe mbylljen e dyqanit. Së shpejti në Maqedoni do të hyjë në fuqi edhe rregullorja për mishin e ngrirë dhe produktet e mishit.

Mungesë informacioni për konsumatorët

Qytetarët janë tejet të indinjuar me informacionin, se në Maqedoni nuk ka siguri për prodhimet  ushqimore të importuara.

“Si mund ta mbaj unë përgjegjësinë si nënë, a duhet ta kontrolloj unë qumështin? Unë jam e detyruar të blej qumësht, sepse kam foshnjë dhe në shtëpi nuk kam lopë”, thotë e indinjuar një nënë, e cila del nga dyqani me disa litra qumësht të blerë.

“Po blej vetëm prodhime vendase. Deri më tani kam përdorur qumështin e importuar nga Sllovenia dhe Kroacia, por tani kam frikë dhe përdor atë dhe blej qumësht vetëm nga Maqedonia”,  thekson një qytetare tjetër.

Boris Anakiev, ekspert i industrisë ushqimore, thotë se për prodhimet me cilësi të dyshimtë në treg përgjegjësia kryekëput u mbetet institucioneve, që nuk zbatojnë rregullat ligjore për mbrojtjen e konsumatorit prej produkteve ushqimore me cilësi të dyshimtë.

“Ne jemi të padisiplinuar, të pandërgjegjshëm, bëhen lëshime nga institucionet përkatëse dhe askush nuk e merr përgjegjësinë. Pse askush nuk ka bërë analizën e qumështit që ka pasur përmbajtje aflatoksinë, por kjo u bë e ditur pasi u dha alarmi”, tërheq vëmendjen Anakiev.

Organizatat jo qeveritare për mbrojtjen e konsumatorëve disa herë u kanë kërkuar institucioneve vendase të bëjnë analizë krahasuese të të gjitha prodhimeve ushqimore që vijnë nga jashtë. Për kryetaren e Organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve Mirjana Lonçar, problemi qëndron tek mungesa e standardeve dhe normave që aplikohen në Maqedoni. “Në vendet e rajonit nuk ekziston harmonizim i legjislacionit për cilësinë e ushqimit. Standardet dhe normat nuk janë të njëjta ndaj kur importohen prodhimet ushqimore siç është rasti me qumështin dhe mishin, ato nuk janë të përshtatshëm me standardet e Maqedonisë. Këtë kaos fatkeqësisht po e paguajnë konsumatorët”, thotë Lonçar.

Në Maqedoni  aktualisht vetëm fakulteti i veterinarisë mjekësore disponon laboratorë të akredituar për analizën e ushqimit sipas standardeve të BE-së.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/