TIRANË, 8 mars 2013 – Në ambasadën greke punon si diplomat ish-kapiteni i zbulimit të ushtrisë dhe snajper, Dhimitrios Nousis, kështu shkruan në numrin e 8 marsit të gazetës “Investigim” eksperti i çështjeve të sigurisë Gjergj Thanasi. Nousis, i cili më 11 dhjetor mbush 30 vjeç, ka mbaruar shkollën ushtarake të Evelpidon-it, duke arritur deri në gradën e kapitenit të ushtrisë. Përvoja e tij në fushën ushtarake u pasurua edhe më shumë në qendrën stërvitore të Avlona-s në Atikë. Institucioni ushtarak grek është, si të thuash, barasvlerësi i qendrës stërvitore shqiptare të Bunavisë në Vlorë.

Sipas medieve turke, në Avlona të Atikës, herë pas here janë stërvitur edhe grupe marksiste terroriste kurde. Pak a shumë si në Zallher në kohën e komunizmit. Tërheq vëmendjen që Ministria e Jashtme e Greqisë dërgon në përfaqësinë  e vet diplomatike në Tiranë (nr. 13 në listën diplomatike) një kuadër të profilizuar si zbulues dhe snajper, përveç njohurive që ai ka në gjuhë të huaja dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një kuadër i tillë në ambasadën helene nuk duhet të jetë befasues për shqiptarët. Zoti Papas, deputet i partisë neonaziste “Agimi i Artë” na e bëri të qartë në emision televiziv shqiptar “360 gradë” se gjendja e luftës ekziston dy vendeve tona, madje, ushtria greke është shumë herë më e fuqishme se ajo shqiptare.

Thanasi shkruan se tani topi ndodhet në fushën e Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme. I takon këtij dikasteri ta trajtojë këtë kapiten, që është zbulues dhe snajper, sipas klauzolave të Konventës së Vjenës të vitit 1961.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/