TIRANE, 07 mars 2013– Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehu rëndësinë e edukimit të brezave për mënyrën e sjelljes së tyre në rrugë, gjatë Konferencës me temë "Siguria e Qarkullimit Rrugor", organizuar sot në mjediset e Universitetit 'Polis', në Tiranë.
Duke e cilësuar sigurinë rrugore si një sfidë botërore, Presidenti Nishani theksoi se ajo është një sfidë që mund të përballet me shumë sukses nga shoqëria njerëzore. "Eshtë tërësisht në mundësitë e shoqërisë njerëzore, të institucioneve, aktorëve të shoqërisë për të triumfuar mbi këtë sfidë”, tha ai.
Kreu i Shtetit, në fjalën e tij, nënvizoi rëndësinë e edukimit dhe arsimimit të brezave, lidhur me çështjen e sigurisë rrugore. "Janë për t'u përshëndetur të gjitha iniciativat e marra në kurikulën e shkollave tona, por jam i bindur se kërkohet që të jetë shume herë më dinamike dhe e shtrirë në të gjitha nivelet, duke filluar nga arsimi parashkollor dhe në vazhdim", tha Nishani, ndërsa theksoi se është e domosdoshme që ky edukim të jetë i pandërprerë, në të gjitha etapat dhe momentet e arsimimit.
Nishani inkurajoi zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës së saj, sikundër shprehu rëndësinë e rritjes se sjelljes profesioniste të qytetarëve gjatë drejtimit të mjeteve.
"E pandërprerë duhet të jetë përmirësimi padyshim i infrastrukturës rrugore. Shqipëria po njeh dhe jam i sigurt që do vazhdojë më tej, përmirësim cilësor të infrastrukturës rrugore. Dhe bëjmë shumë mirë që investojmë sepse është një investim jo vetëm për të sotmen, por dhe të ardhmen. Por, nga ana tjetër, në mënyrë paralele me këtë përmirësim të infrastrukturës, rriten edhe risqet e përballjes së sigurisë rrugore, nëse nuk përmirësohet kultura e sjelljes së qytetarëve, qoftë si këmbësorë, qoftë si drejtues mjeti", tha Nishani.
Presidenti Nishani përgëzoi stafin e Universitetit për zhvillimin e kësaj Konference, duke iu shprehur atyre mbështetje maksimale "për të udhëhequr një proces të sensibilizimit të rëndësisë që ka edukimi dhe arsimimi për mënyrën e sjelljes së qytetarit në rrugë, por edhe gjatë kohës së drejtimit të mjetit, në raport me rëndësinë që ka mbrojtja e jetës së tij".