TIRANE, 07 mars 2013 Nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku ka përzgjedhur gjimnazin “Sami Frashëri”, për të uruar mësuesit e kësaj shkolle por dhe të gjithë shkollave të Tiranës, me rastin e 7 Marsit. Nënkryetarja e Bashkisë, një ish-nxënëse e këtij gjimnazi ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për punën dhe përkushtimin e mësuesve, i cili transmetohet brez pas brezi. 

“Unë jam e kënaqur, sepse këtë vit ne kemi bërë pak më shumë se vjet. Kushtet, këtu në gjimnazin “Sami Frashëri” janë shumë të mira por besoj se nxënësit në të gjithë Tiranën mësojnë në kushte pak më të mira. Besoj se ne bashkë kemi akoma shumë për të bërë por pak nga pak, brenda këtyre tre viteve të ardhshme, unë kam përkushtimin tim personal ashtu si edhe Kryetari i Bashkisë, që të bëjmë gjithçka për arsimin, nxënësit, kushtet mësimore, përveç asaj që qeveria bën sa u përket kurrikulave”. 

Tabaku vlerësoi punën e mësuesve, pavarësisht vështirësive që hasin për shkak të kushteve jo të mira në shkollat e kryeqytetit, në një pjesë të së cilave nuk është ndërhyrë asnjëherë në 11 vitet e fundit. Përveç mësimit me turne në 43 shkolla, në disa prej tyre kishte urdhra të përsëritur për mbyllje, nga Instituti i Higjienës. Bashkia e Tiranës është e angazhuar për të ndryshuar tërësisht, situatën që paraqitet aktualisht në infrastrukturën e shkollave të Tiranës. Dy shkolla janë në proces rindërtimi, “Ahmet Gashi” dhe “Eqerem Çabej”. 

Zv/Kryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku tha se reduktimi i mësimit me dy turne dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkolla por edhe në kopshte dhe çerdhe është prioritet i Bashkisë se Tiranës. 

“Sami Frashëri ka një specifikë të veçantë, sepse ndoshta gjithë Tirana do të vijë tek “Sami Frashëri” por ne po përpiqemi të krijojmë mundësinë edhe për një shkollë tjetër të mesme në këtë zonë, të reduktojmë pak numrin e nxënësve nëpër klasa, të reduktojmë dy turnet. Jam e bindur se vitit tjetër, ne mund të diskutojmë në kushte të tjera!” – theksoi Tabaku. 

Deri në fund të këtij mandati, Bashkia e Tiranës parashikon që vetëm me fondet e saj, të ndërtohen 10 shkolla të mesme dhe 9 vjeçare si dhe të rikonstruktojë 23 të tjera. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe ndërtimit të terreneve sportive dhe laboratorëve. Do të ndërtohen 14 palestra të reja si dhe 59 laboratorë. Në 92% të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme do të instalohet dhe vihet në funksion të plotë sistemi i ngrohjes.