TIRANE, 07 mars 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti sot në selinë rozë disa mësues ku dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe ankesat e tyhre. Në kuadër të festës së Mësuesit, 7 Marsit, Rama shtroi një tryezë me ëmbëlsira dhe çaj. Përmes një bisede të shtruar u debatua problemi i propagandës politike në shkolla. 

“Më thirri drejtoresha më tha, Marjeta duhet të ikësh nga mësimi, më vjen keq për një gjë, dhe mua PD më ka vënë tha, por bindjet janë bindje. Jam një brez që i kemi dhënë kaq shumë nxënësve, kemi mësuar fëmijët e fëmijëve dhe të gjendesh në këtë situatë sepse nuk je militante me asnjë parti, kjo është alarmante”, tha njëra prej mësuesve. 

“Mësues të aftë ndodhen jashtë dyerve të shkollave, të paaftë, porse kanë një teser partie japin mësim në banKat e shkollave. Kam kaq vite që endem dyerve të Drejtorisë Arsimore dhe jap mësim me kohë të shkurtuar, në cdo cep të Tiranës dhe nuk kam një pozicion stabël”, shprehet një mësues tjetër. 

Pasi dëgjoi me vëmendje shqetësimet e arsimtarëve, Rama theksoi se, sot mësuesia është e kërcënuar tepër nga linja politike. Rama garantoi se PS do të kthejë lirinë e profesionit të mësuesve dhe ulje taksave të tyre. 
“T’ja kthejmë lirinë e profesionit, mësuesve. Të ndërtojmë një proces rekrutimi mësuesve të koordinuar me prindërit. Mes shkollës e prindit të vendoset një komunikim konstant. Të afrojmë shkollën me komunitetin. Të ulim taksat për mësuesit se rroga është rritur minimalisht, por fuqia blerëse është përgjysmuar. Taksa e sheshtë është një goditje që ia ka marrë frymën gjithë shtresës së mesme. Ne duhet t’i ulim taksat për mësuesit, nga llogaritjet që kemi bërë, mësuesit do të fitojnë një rrogë më shumë vetëm nga ulja e taksave”. 

Rama garantoi se vitin e ardhshëm, 7 Marsi se mësuesit do të lejohen të kenë bindjet e tyre politike por pa ndikuar në mësimdhënie ndërsa inkurajoi arsimtarët se gjithçka do të përmirësohet. 
“Do doja t’ju uroja, Gëzuar në këto kushte që jeni sot, por 7 marsin e ardhshëm do kemi kthyer lirinë e profesionit, nuk do ketë mësues që do kenë frikë të flasin për bindjet e tyre, sigurisht jo në klasë, as në mjedise e debatit mes tyre, apo se simpatizon një parti apo parti tjetër. Nuk do të ketë mësues që do i mjaftojë një teser partie për t’u bërë mësues. Mësuesit janë të fëmijëve dhe fëmijët janë të barabartë qofshin fëmijë socialistësh apo demokratësh sepse kanë të drejtën e marrjes së cilësisë së dijeve dhe më pas të vendosin për bindjet e tyre. Propaganda politike në bankat e shkollës është fashiste. Nuk duhet të jemi pesimistë zysha, jo të gjitha të këqiat vijnë për keq thoshte gjyshja ime, jeta ka surprizat e veta dhe rrugët e Zotit janë të pafundme”. 

Gjithashtu Rama theksoi se PS ka në programin e saj politik, programin më të mirë për sportin në shkolla. Sipas kryetarit të PS, ky është i pari program në këto 22 vite demokraci në Shqipëri. 
“Duhet të fusim sportin në shkollë si një aktivitet konstant. Ne kemi bërë një draft për sportin. Kam qenë Ministër i Kulturës, por ky program që kemi për sportin është i pari program për sportin në këto 22 vjet”.