TIRANË, 06 mars 2013- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot një takim me gra sipërmarrëse, gra zejtare, gra të suksesshme që kanë ngritur dhe menaxhojnë biznese të vogla e të mesme me punime artistike, ferma, por edhe qendra për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Gjatë bashkëbisedimit me to, Topalli u njoh me propozimet që ato bënë për përmirësimin e legjislacionit në ndihmë të grave në biznes.
Të pranishmet në takim sollën historitë dhe eksperiencat e tyre, ku përveç sukseve, u vu në dukje edhe nevoja për mbështetje nga strukturat shtetërore.
Gratë në këtë takim me kryeparlamentaren vlerësuan dhe politikat lehtësuese fiskale që kanë ndihmuar jo pak në çuarjen përpara të nismave të tyre.
Ndërsa Topalli nga ana e saj, diskutoi për mundësinë e lëvrimit të kredive të buta për gratë që drejtojnë biznese si dhe për krijimin e mundësive për lehtësim nga taksat për gratë që hapin biznese të reja.