TIRANË, 06 mars 2013- Komisoni parlamentar për Sigurinë zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku u diksutua mbi projekt-ligjin për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative të sigurisë.
Pjesë e këtij diskutimi kanë qenë edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, përfaqësuesi i prokurorisë së Përgjithshme Thoma Jano, si dhe përfaqësues të OJF-ve.
Duke iu referuar përmbajtjes së projekt-ligjit, përfaqësuesit e këtyre institucioneve në komision, kanë vlerësuar se duhet ndërhyrë për të ndryshuar pika të caktuara të tij. Për kreun e SHISH, Ajazi, është e nevojshme që projekt-ligji duhet të diskutohet në mënyrë të detajur, para se institucioni që ai drejton, të japë objeksionet e veta. Ai tha se “në ligj duhet të përcaktohet në mënyrë decizive fusha e veprimit të tij”.
Në mbrojtje të interesave të institucionit që përfaqëson, Thoma Jano, shtroi kërkesën për ndryshim të atyre neneve që cënojnë pavarësinë e prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërkaq përfaqësues të OJF-ve, duke konstatuar përplasje mes neneve të këtij projket-ligji, janë përqendruar në rëndësinë e mos cënimit të të drejtave të njeriut.
Ky ligj parashikohet të rregullojë mbikëqyrjen parlamentare të Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë të Republikës së Shqipërisë. Ai paraqet përbërjen, kompetencat, detyrat dhe metodologjinë e punës së organit mbikëqyrës, i cili ka autoritetin që të mbikëqyrë këto organizata, marrëdhëniet e tyre me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë , Qeverinë e Republikës së Shqipërisë , ministrat, autoritete të tjera shtetërore dhe me organizata ose individë të tjerë.