TIRANË, 06 mars 2013- Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha bëri me dije disa vendime të rëndësishme. Ai deklaroi se do të hiqen taksat për cdo gjë që shërben për të rritur prodhimin.

“Pas një debati të gjatë me grupe interesi, me specialistët më të mirë të fushave qeveria vendos sot heqjen e taksave mbi cdo gjë që shërben për të rritur prodhimin. Në këtë mënyrë qeveria shkon në postulatin e qendrimit ideal të nxitjes së prodhimit. Ne besojmë se kjo do të rrisë prodhimin dhe është rruga më e fuqishme për punësimin e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha. 

Duke deklaruar se reformat e ndërmarra deri tani nga vendimtare për ekonominë e Shqipërisë, kryeministri shtoi se ka ardhur koha për një paketë të re reformash. 

“Ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin makroekonomik, rritjen ekonomike, nuk ka rënë në recension dhe ka ruajtur kontrollin mbi borxhin dhe inflacionin, kjo falë suksesit të reformave që ne ndërmorëm. Tani ne do të vazhdojmë me një paketë të re reformash. Janë jetike ndërhyrjet në dy drejtime themelore, së pari të nxitjes së prodhimit nëpërmjet heqjes së cdo takse dhe tarife, dhe së dyti ndërhyrja jonë në funksion të krahut të punës. Janë reforma shumë të rëndësishme që do kenë ndikim për punësimin”, tha Berisha. 

Kryeministri shtoi se, qeveria do të hartojë së shpejti një plan kombëtar të detajuar që ka synim zhvillimin e sektorit të peshkimit. 

“Listes i shtohen që të gjitha mjetet e peshkimit dhe gjithçka përdoret për industritë e tij, të gjitha ushqimet dhe kimikatet e domosdoshme, rasatet pa dëmtuar prodhimin vendas. Ne kemi vendosur për gjithçka që rrit prodhimin, por pa dëmtuar prodhimin e brendshëm. Ato që prodhohen në vend do shiten pa TVSH. Do ndërmarrim një nga planet më të suksesshme kombëtare për peshkimin. Aty ka një burim pasurie shumë i madhe”, vijoi Berisha. 

Kreu i qeverisë foli më tej për disa ndryshime ligjore në funksion të decentralizimit të kompetencave të pushtetit vendor, të mundura këto me ndryshimet në ligjin e ri të Urbanistikës. 

“Me ndryshimet në ligjin e Urbanistikës, (të miratuar nga Bashkia e Tiranës e kryesuar nga Lulzim Basha), ligj të cilin paraardhësi i tij se bëri dot për 11 vjet duke e premtuar për cdo vit, është bërë e mundur të shkëputemi nga qëndrimet centraliste, të trashëguara nga koha e diktaturës komuniste. Eshtë koha që qeveritë vendore që kanë planet rregulluese si kushtetutë të territorit që administrojnë, të kenë të gjitha kompetencat të pandikuara nga qeveria qendrore, përveç objekteve të karakterit kombëtar”, tha Berisha më tej. 

Berisha tha më tej se qeveria do të miratojë sot një paketë ndryshimesh në Kodin Civil, që paraprijnë ndryshimet në kodin penal. “Kjo paketë synon të transferojë disa kompetenca nga gjykatat te zyrat e noterisë, që do të funksionojnë si "One Stop Shop", tha kryeministri.

Sipas Berishës, ndryshime do të ketë edhe në Kodin Penal ku do përfshihen dënime më të rrepta për autorët e krimit në familje, vrasësit e policëve dhe vrasjeve për gjakmarrje.

Berisha nënvizoi se, “Së shpejti do të paraqesim për miratim një paketë ndryshimesh në Kodin Penal që synon t'i japë përgjigjen e merituar situatës së krimit në vend”. 

“Nëse burri e konsideron gruan si një skllave që mund ta vrasësh kur ti teket, natyrisht që policia ka vendin e vet, por rolin kryesor e ka shoqëria. Ai ligj që para pak vitesh mezi vepronte tani do i kujtojë atij që ngre dorën ndaj familjarëve të vetë se do marrë gjykimin më të rreptë nga ligji. Po kështu për policët. Qëllove kundër tij do të kesh dënimin më të rreptë që mund të japin ligjet e vendit. Gjakmarrja ka pasur një rënie pavarësisht spekulantëve që fryjnë statistikat. Por ajo ekziston dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që tu japin dënimet më të rrepta”, shtoi Berisha.”, shtoi ai.