FIER, 05 mars 2013 – Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka inaguruar sot rrugën Fier-Komuna Ruzhdie. Gjatë takimit që pati me shumë banorë të zonës kreu i qeverisë theksoi se po afron koha e zgjedhjeve, duke shtuar se premtimet që bën qeveria janë reale dhe të prekshme krahasuar me programin e PS.
Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve të qeverisjes, nuk kemi arritur të realizojmë gjithçka, por kemi bërë më shumë se kurrë për Shqipërinë e fermerëve, Shqipërinë rurale dhe për fshatin shqiptar. Ndaj kryeministri premtoi se 4 vitet e ardhshme do te jene bum investimesh.
“Zotohem këtu dhe i jap fjalën këtij burri karshi jush, kryetarit të komunës se qeveria do financojë çdo projekt në të 4 anët e komunës suaj për ta bërë komunën tuaj me rrugë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla qendra shëndetësore, njëlloj si çdo lagje të qyteteve tona. Gjatë këtyre viteve ne kemi investuar në Rruzhdie dhjetra km rrugë, jemi të vendosur që gjatë 4 viteve që vijnë të asfaltojmë çdo km rrugë në këtë komunë. Se pa rrugë nuk ka zhvillim. 4 vjeçari që vjen do jetë 4 vjeçari i sistemit më modern që ekziston në vend”,- tha kreu i ekzekutivit.
Duke iu referuar fenomenit të Ruzhdies, Berisha tha se “në një kohë kur të tjerët çirreshin nëpër televizione se Berisha fiton me votat e eskimezëve, unë shprehja krenarinë për ju, pasi sipas tij, ata që pretendonin kështu ata nuk kanë asgjë shqiptare në gjakun e tyre”.
Ai tha se PD shkon drejt zgjedhjeve të 23 qershorit e përkushtuar për votën e lirë, me projektin më të shkëlqyer që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. Berisha e cilësoi qesharak, liderin e opozitës, ndërsa iu referua akuzave të tij për vjedhje të programit.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/