New York – Kriza më e rëndë e kapitalizmit që nga Depresioni i Madh i viteve 30 ka rizgjuar kujtimet e zymta në të dyja anët e Atlantikut. Fantazma e Franklin Delano Rooseveltit po i ndjek Shtetet e Bashkuara të Barack Obamas. Argumentet historike rreth asaj nëse “Marrëveshja e Re” e Rooseveltit ka funksionuar, tani formojnë një pjesë të rëndësishme të debateve amerikane rreth politikave aktuale monetare dhe fiskale në përgjithësi dhe të politikave të lehtësimit sasior të Rezervave Federale amerikane në veçanti. Në Evropë, aty ku dikur dështimi kombëtar ekonomik çoi drejt shkatërrimit të vet demokracisë, njerëzit tani pyeten nëse një gjë e tillë mund të ndodhë përsëri. Disa e shohin një tjetër moment Weimarin, i cili kujton periudhën e shtrëngimit të rripit dhe rritjes së papunësisë që karakterizoi Gjermaninë e Heinrich Brüningut dhe që ndihmoi në ngjitjen në pushtet të nazistëve.
Në shikim të parë, shkaqet për ta hequr nga mendja një skenar të tillë duken të pakapërcyeshme. Nëse Bashkimi Evropian ka bërë ndonjë gjë, atëherë është që ta bëjë të paparamendueshme një luftë ndërmjet Francës dhe Gjermanisë.
Si rrjedhojë e kësaj, i gjithë koncepti gjeopolitik është dukshëm më pak kërcënues sesa ishte në vitet 30.
Për më tepër, ekstremet ideologjike që kanë ngacmuar dhe polarizuar kontinentin në atë kohë sot nuk janë aq në modë. I diskredituar nga rënia e BRSS-së dhe bllokut sovjetik në Evropën Lindore, komunizmi është faktikisht i vdekur dhe prandaj zgjedhjet e saj thelbësore – aty ku partitë komuniste ia dalin që të mbahen disi – po mplaken dhe po bëhen të paafta ta riprodhojnë veten.
Për sa i përket fashizmit, trashëgimtarët politikë të së cilës në shtetet si Italia dhe Franca duhet të konkurrojnë me stigmën e së kaluarës. Kujtimet e dukshme të luftës së plotë dhe gjenocidit, të ringjallura në mënyrë të vazhdueshme, vështirësojnë çdo lloj ringjalljeje të partive totalitare të së djathtës.
Kjo dhe është arsyeja se pse nuk mund të shohim kthimin e regjimeve ushtarake në Evropën Jugore apo në vende të tjera; vuajtja që ato shkaktojnë është tepër e gjallë në kujtesën tonë kolektive. Gjëja e fundit që ushtritë portugeze dhe greke duan të bëjnë është që të marrin përgjegjësi për qeverisje.
Mandej vjen edhe dallimi më fondamental – dhe njëherësh edhe lehtësisht i neglizhueshëm – nga të gjithë. Në vitet 30, politikat tërhoqën masa për shkak se njerëzit besonin në të ardhmen. Me miliona marshuan për kauzat e mëdha të ditës, ndërsa me qindra e mija njerëz iu bashkuan partive politike – në të shpeshtën e rasteve për gjithë jetën. Marshet dhe demonstratat e së sotmes janë një rikujtues i pafuqishëm i atyre kohërave, derisa partitë kudo po pësojnë hemorragji anëtarësh.
Mirëpo do të ishte e nxituar të konstatohet se kriza nuk ka çfarë të na mësojë. Pikërisht e kundërta. Në vitet 30, SHBA-ja dhe Britania ishin ndër të paktat shtete në botë, në të cilat demokracia shumëpartiake kishte mbijetuar. Pothuajse çdokund tjetër ka ndodhur kthim i shpejtë në të djathtë. Në Gjermani dhe Itali, partitë fashiste dolën në krye, derisa në vende të tjera, diktatorët u mbështetën nga ushtritë apo mbretërit.
Me t’i analizuar këto ngjarje shumë kohë më vonë, historianët elaboruan tipologjitë që dallojnë ndërmjet fashistëve dhe regjimeve autoritare. Këto dallime nuk ishin triviale. Mirëpo shumë më me rëndësi ishte ajo që ndanin fashistët dhe regjimet autoritare – që të gjitha përfituan nga rrëzimi gjithëpërfshirës i legjitimitetit të politikave demokratike.
Ata të gjithë sinjalizuan në këtë mënyrë se demokracia nuk ishte ndonjë gjendje natyrore, e as ndonjë pikë përfundimtare e historisë, stabiliteti dhe vazhdimësia e së cilës mund të merret shtruar.
Përkundrazi, fuqia e demokracisë shtrihet jo vetëm në karakterin e saj, por edhe në të arriturat po ashtu. Popullariteti i saj mund të bjerë shumë shpejt, në momentin që lidhet me paralizën dhe dështimin sistematik, qoftë në fushëbetejë – si në rastin e Francës më 1940 – qoftë në dhomën e kontrollit apo në dhomën e prodhimit.
Ata që dyshojnë se kjo mund të ndodhë përsëri duhet ta kenë parasysh shtetin evropian të goditur më së rëndi nga kriza aktuale – Greqia. Pasi junta e kolonelëve u rrëzua në Greqi më 1974, një sistem demokratik u ngrit. Dy partitë kryesore nisën të ndërrohen në pushtet, ndërsa integrimi evropian shërbeu si një stabilizues për politikat e brendshme.
Kështu nuk ndodh sot. Përkundrazi, kreditorët e Greqisë – dhe vetë politikanët e saj – e kanë menaxhuar krizën në një mënyrë që i ka vënë në dyshim të gjitha të arriturat kushtetuese të katër dekadave të fundit. Në të vërtetë, trazirat politike të shkaktuara nga kriza e kanë rikthyer sistemin e vjetër dypartiak.
Ndërmjet viteve 2010 dhe 2011, PASOK-u i qendrës së majtë ishte në qeveri, duke bërë gjithçka që ishte e nevojshme për ta mbajtur Greqinë në euro dhe i ka shmangur pakujdesitë e dikurshme. E gjithë e majta e qendrës është në fluks, ndërsa politikat e reja mbase do të vijnë e shkojnë.
Demokracia e Re e qendrës së djathtë ka humbur po ashtu terrenin, edhe pse jo aq keq. Mirëpo një forcë e re është shfaqur përbri saj: Agu i Artë, një parti neonaziste që po përhap dhunë nëpër rrugë dhe në jetën publike dhe po shënon rritje të mbështetjes popullore, si rezultat i kësaj.
Katalizator i rritjes së përnjëhershme të Agut të Artë nuk është numri i madh i emigrantëve ilegalë që jetojnë në Greqi – prezenca e tyre daton qysh prej shumë vjetësh – po nga rritja masive e varfërisë dhe e shkallës së papunësisë gjatë tre vjetëve të fundit dhe, mbi të gjitha, si pasojë e zemërimit popullor në rritje me shtresën politike në tërësi. Thënë troç, kriza ka prodhuar një delegjitimizim të thellë të politikanëve demokratikë të Greqisë dhe të të arriturave të supozuara të tyre.
Ky nuk është Weimari. Por ky që po ilustron faktin se sa shpejt, në fillim të shekullit të njëzetenjëtë, demokracia e Evropës po rrezikohet nëpërmjet aplikimit të pafund të ekonomive të kursimit dhe me dështimin e lidershipit politik në vend dhe jashtë.
Se çfarë mund të zëvendësojë demokracinë është një çështje tjetër. Mirëpo ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur thjesht pasi që nuk mund t’i imagjinojmë alternativat.
/Mark Mazower është profesor i historisë në Universitetin Columbia, SHBA. Ai është autor i shumë librave, përfshirë “Ballkani: një histori e shkurtër”, “Selaniku, qyteti i fantazmave”, “Kontinenti i errët: Shekulli 20 i Evropës” dhe së fundi, “Qeverisja e botës: Historia e një ideje”. Ky shkrim është siguruar përmes rrjetit “Project Syndicate”/