TIRANË, 05 mars 2013- Shqipëria është vend me potenciale të mëdha të resurseve të peshkimit, për shfrytëzimin e të cilave Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nëpërmjet politikave të saj ka synuar dhe synon menaxhim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të tyre, duke krijuar hapësira të mëdha për të sotmen dhe të ardhmen. Kështu u shpreh ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, në konferencën ndërkombëtare "Industria e detit dhe perspektiva e saj"
Mediu u ndal në eksportin e prodhimeve peshkore, duke theksuar se "eksporti i prodhimeve peshkore në tregun evropian është tashmë një realitet që vlen për t’u vlerësuar". "Vendi eksporton prodhimet Made in Albania, që janë të freskëta dhe të përpunuara, duke sjellë dhe të ardhura të konsiderueshme për vendin", theksoi Mediu, duke shtuar se çelja e eksportit të molusqeve përbën një sfidë tjetër për vendin tone, në raport me BE. "Po ashtu, dhe shtimi i produkteve të përpunuara do të bëjë të mundur jo vetëm rritjen e punësimit në këtë sektor, por dhe aktivizimin e sektorit përpunues dhe rritjen e kontributeve të eksporteve shqiptare në bilancin ekonomik të vendit", vuri në dukje ai.
Duke u ndalur në peshkimin detar, Mediu vuri theksin tek organizimi i flotës së peshkimit, si një element primar për të arritur standarde bashkëkohore evropiane, por dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rezervave peshkore.
Infrastruktura e porteve të peshkimit është një tjetër element i rëndësishëm, sipas Mediut. "Portet i kanë shërbyer interesave të peshkatarëve, flotës së peshkimit, por në mënyrë relative për faktin, sepse kontrolli nga organizata e menaxhimit të peshkimit jo gjithmonë ka qenë ai që ne kemi kërkuar, si organizata partnere në këtë proces", tha Mediu, duke theksuar se "në infrastrukturën e peshkimit domosdosmërisht duhet të shikojmë një raport të ri publik-privat, që të shikojmë mundësitë më të mëdha të investimit dhe të interesit nga ana e privatëve në këtë sektor të rëndësishëm, sidomos konçensionim e porteve apo merkatove të peshkimit".
Pa porte me standarde dhe merkato bashkëkohore, sipas tij, "do të kemi vështirësi të mëdha në industrinë e përpunimit në gjetjen e tregut në vend dhe jashtë Shqipërisë".
Ndërsa nënvizoi investimin në portin e Durrësit, rreth 17 milion dollarë, Mediu theksoi se "duhet të gjejmë mënyrën për largimin e anijeve të peshkimit apo peshkarexhave që kanë tejkaluar jo vetëm standardin dhe kohën, por sidomos janë prej një kohe të gjatë jofunksionale duke bllokuar aksesin pë rata industrialist apo anije peshkimi që kanë nevojë për hapësirën portuale".
Duke u ndalur tek shfrytëzim i paligjshëm i peshkimit, Mediu tha se kjo krijon probleme të mëdha për ardhmërinë e rezervave peshkore dhe problematikën e kësaj industrie.
Mediu theksoi se në bashkëpunim me BE, në kuadër të forcimit të ligjit në industrinë e peshkimit dhe garantimit të jetës së peshkatarëve, janë investuar rreth 2 milion dollarë në kontrollin dhe vëzhgimin e proceseve të rëndësishme të peshkimit.