NAPOLI, 05 mars 2013– Në Napoli të Italisë pothuajse është shkrumbuar i tëri Qyteti i Shkencës, siç njihet ndryshe muzeu interaktiv, i konsideruar si një ndër atraksionet kulturore të qytetit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, gjithsej janë djegur gjashtë ndërtesa të kompleksit, që më parë ishte vendosur nën sekuestro nga hetuesia.
Autoritetet italiane deklarojnë se kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje mbrëmjen e së hënës, flakët ishin përhapur në të gjithë pjesën muzeore, nga ana e detit, me përjashtim të teatrit.
Ndërsa mëngjesin e së martës në vendin e ngjarjes mbërriti policia shkencore dhe njësia hetimore kundër zjarrit, pjesë e departamentit të zjarrfikësve.
Fronti masiv i zjarrit, i gjatë mbi 100 metra, ka shkatërruar strukturën e ndërtesës në Banjoli.
Për fat të mirë, të hënave, gjatë sezonit dimëror, struktura është e mbyllur për publikun dhe autoritetet për momentin deklarojnë se nuk ka pasur persona të lënduar.
Jashtë muzeut janë mbledhur pothuajse 160 punëtorët e institutit, të shqetësuar për të ardhmen e tyre profesionale.
Zona e shkatërruar nga flakët është rreth 12 mijë metra katrorë, konkretisht e tërë qendra, me përjashtim të teatrit, një strukturë kjo e ndarë.