TIRANE, 04 mars 2013 – Fryma e Re Demokratike ka prezantuar sot programin e saj për zgjedhjet e 23 qershorit. Në fjalën hapëse, kreu i FRD-së, Bamir Topi tha se edhe pse partia më e re në Shqipëri, FRD-ja është sot subjekti politik më shpresëdhënës për shqiptarët. FRD tha ai është futur në tregun e politikës si e barabartë me partitë, të cilat ndonëse kanë shumë vite, janë ndërtuar, organizuar dhe kanë konsumuar misionin e tyre politik.
“FRD erdhi në jetën politike të shqiptarëve në një moment shumë të rëndësishëm, për fatin e shqiptarëve. Kur partitë e vjetra e kanë konsumuar misionin e tyre, madje në disa momente e kanë deformuar misionin e tyre, dhe sot qoftë në Shqipëri apo tek partnerët ndërkombëtarë kredibiliteti i tyre ka rënë”,- tha Topi.
Ish Presidenti Topi tha se, Shqipëria ka nevojë jetike për rotacion, për demokraci funksionale, shtet të së drejtës dhe funksionim politik.
Kreu i FRD-së, akuzoi dy partitë e mëdha për lënie të vendit në vendnumëro, pasi sipas tij, 22 vite mjaftuan për eksperimente, konflikte pa sens, dhe politikanë aventurier, me uzurpim të institucioneve, pazare me votën dhe lënie të Shqipërisë jashtë BE-së.
“Është ky bashkëpunimi midis këtyre dy individëve që e ka futur Shqipërinë në një kaos institucional, janë këta dy individë që në një marrëveshje të fshehtë mes tyre realizuan ndryshime kushtetuese, më 21 prill 2008, dhe sot gjendja e institucioneve, sistemi zgjedhor dhe pavarësia e institucioneve janë në një stad të cenuar.”- tha Topi.
Disa prej angazhimeve që pritet të marrë FRD në mandatin e saj qeverisës
Ndryshimin e sistemit zgjedhore dhe zgjerimin së drejtës së votës
Ndryshim ligjor për të realizuar pjesëmarrjen në zgjedhje të të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë
Ndryshim ligjor për të mundësuar votimin elektronik në të gjithë vendin
Ndryshim ligjor për të mundësuar administrimin civil të zgjedhjeve, jashtë ndikimit të politikës
Ndryshim ligjor për zhvillim të natyrshëm të referendumeve, për çështje me interes publik
Ndryshim e kushtetutës për të mundësuar zgjedhjen nga populli të Presidentit
Reduktimin në kushtetutë të përbërjes së Kuvendit nga 140, 100
Reduktimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumës e 2 mandate në detyrë
Ndryshim kushtetues për papajtueshmi midis deputetit dhe anëtarit të këshillit të ministrave
Ndryshim kushtetues për të zgjeruar kompetencën e zgjedhjes me shumicë të cilësuar të të gjithë drejtuesve të institucioneve të pavarura
Zbardhje të financimeve partiake, etj
Topi u ndal në fjalën e tij në çështje si ekonomia, arsimi, shëndetësia, sporti etj.
Një material më të zgjeruar dhe të zyrtarizuar, kreu i FRD-së Bamir Topi tha se do ta paraqesë në Kuvendi e I-rë Kombëtar, i cili do të jetë organizativ dhe elektoral.