Shkencëtarët nga Spanja dhe Britania e Madhe dolën me hipotezën se shkaku i zhdukjes së neandertalëve mund të ketë qenë paaftësia e tyre për t’u marrë me gjuetinë e lepujve, të cilën e përvetësuan mirë paraardhësit e njeriut.

Përfundimet e antropologëve bazohen në analizën e kockave të kafshëve të gjetura në shpellat në Spanjë dhe në jug të Francës. Siç rezulton, rreth 30 mijë vjet më parë ka pasur një rënie të theksuar të popullatës së gjitarëve të mëdhenj. Komponenti kryesor i mishit në racionin ushqimor të banorëve të shpellave ishin lepujt.

Shkencëtarët supozojnë se neandertalët nuk qenë në gjendje të ndryshonin traditat e tyre të gjuetisë dhe të kalonin në gjuetinë e kafshëve më të vogla, por që përbënin një pre të bollshme, si për shembull lepujt, meqenëse gjuetia ndaj këtyre të fundit kërkon komunikim, ndërveprim më të përsosur në grup, të cilin, me sa duket, neandertalët nuk e kanë patur.