TIRANË, 03 mars 2013- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitetit (PDIU) reagoi sot ndaj incidenteve të fundit kundër shqiptarëve të Maqedonisë.
Në një deklaratë për mediat, PDIU shprehet se "kushdoqoftë pas këtyre incidenteve, veçanërisht mbi fëmijët shqiptarë, do bëhet përgjegjës për pasojat e spirales së dhunës ndëretnike.
Shqiptarët janë të interesuar për ekzistencën e Maqedonisë, por nëse vetë maqedonasit nuk janë të interesuar, atëherë ky është një skenar i paparashikueshëm".
PDIU shpreh dyshime se “mbrapa sulmit ndaj fëmijëve, ngjan se ka diçka që është rreptësisht e planifikuar".
Sipas PDIU, kjo urrejtje duhet të të marrë fund njëherë e mirë.
"Qeveria maqedonase që ka në dorë ndëshkimin e fajtorëve dhe është përgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit, duhet të ndërhyjë me forcë dhe me drejtësi që këto akte të marrin fund, përndryshe nesër do të jetë vonë", përfundon deklarata e PDIU.