TIRANË, 03 mars 2013– Kryeministri Berisha e ka cilësuar si mjaft të frytshëm takimin e zhvilluar dje më mësuarit në Elbasan.

Në një mesazh në profilin e tij në Facëbook, kryministri Berisha  përsërit se arsimi do të mbetet përparësia më madhore e qeverisë.

Kryeministri thekson se në takimin e djeshëm me mësuesit në qytetin e Elbasanit, ai ndodhej aty thjesht si një ish nxënës që ka admiruar shumë mësueset dhe mësuesit e tij, si një prind dhe gjysh i vëmendshëm për shkollimin e fëmijëve, mbesave e nipërve të tij, si një qytetar që beson dhe nderon shumë dijen dhe vlerat e saj.

“Qëllimi ynë më kryesor për 4 vitet e ardhshme është cilësia dhe rritja e saj. Mësueset dhe mësuesit shprehen dje mendime, propozime, kritika, opinione, që do të pasurojnë shumë programin e PD për 4 vitet që vijnë.  Arsimi ka qenë dhe do jetë përparësia jonë më madhore!” shkruan Berisha.

Kryeministri ka shkruar më tej se i ka paraqitur mësuesve arritjet që janë bërë gjatë këtyre viteve  në fushën e arsimit duke shtuar se të dhënat tregojnë se ato janë më të lartat.

“Në ekspozen time, theksova se këto vite iu kemi faktuar shqiptarëve se për ne arsimi është çështja më serioze. Ne mbajtëm premtimet; rritëm 120 deri ne 150% rrogat e mësuesve, shtrimë internetin në 2000 shkolla të vendit nga vetëm 40 shkolla me internet në vitin 2005, rritëm nga 900 në 24 mijë numërin e kompjuterave në shkolla, ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla. Sot 92% e nxënësve që mbarojnë arsimin bazë ndjekin shkollat e mesme dhe 72% e maturantëve ndjekin universitetet. Këto janë ndër nivelet më të larta në botë” ka theksuar kryeministri.