Aktiviteti i administrimit të fondeve të pensioneve dhe investimit rezultoi fitimprurës edhe gjatë vitit 2020.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se rezultati i përbashkët financiar i fondeve të licencuara vitin e kaluar ishte pozitiv në vlerën e 157 milionë lekëve ose 1.27 milionë eurove.

Krahasuar me vitin 2019, fitimi i shoqërive administruese ka pësuar një rënie me 12%. Por, kjo rënie në pjesën më të madhe erdhi për shkak të ndikimit negativ të shoqërive të reja të licencuara, që janë ende në fazën e parë të aktivitetit, ku humbjet janë të parashikuara për shkak të përmasave të vogla të fondeve që administrojnë.

Burimi kryesor i të ardhurave të këtyre shoqërive janë tarifat e administrimit të fondeve të pensionit dhe investimit, që konsistojnë në një përqindje fikse kundrejt totalit të aktiveve.

Kompania më e madhe, Raiffeisen Invest për vitin 2020 arriti një fitim neto prej 144.5 milionë lekësh, në rënie me 3.6% krahasuar me një vit më parë. Raiffeisen Invest ka pësuar një rënie të të ardhurave, ndikuar kryesisht nga kthimet negative e fondit të investimeve në euro. Megjithatë, kompania e ka kompensuar pjesërisht këtë efekt duke ulur shpenzimet dhe rezultati financiar nuk ka pësuar rënie drastike krahasuar me një vit më parë.

Fitimin e dytë më të lartë në vlerë për vitin 2020 e arriti Sigal Life Uniqa Group Austria, me 19 milionë lekë, në rënie të lehtë nga niveli prej 20 milionë lekësh i një viti më parë. Rënia e fitimeve erdhi kryesisht për shkak të rritjes së shpenzimeve operative të shoqërisë. Këtë vit Sigal do të hapë edhe një fond investimesh, me qëllim zgjerimin e aktivitetit dhe të bazës së të ardhurave të kompanisë administruese.

Shoqëria tjetër, Credins Invest, për vitin 2020 raportoi një fitim neto në vlerën e 17.7 milionë lekëve, në rritje vjetore me pothuajse 49%. Përmirësimi i rezultati financiar erdhi kryesisht nga rritja e të ardhurave nga administrimi i fondit.

Kompania tjetër administruese WVP Fund Management Tirana, ka reduktuar humbjet në rreth 30 mijë lekë, nga 1.3 milionë lekë një vit më parë.

Shoqëria Albsig Invest, e mbylli vitin 2020 me humbje në vlerën e 18 milionë lekëve, por kjo kompani e nisi aktivitetin vetëm në fund të vitit 2019 dhe humbja ishte e parashikuar në planin e biznesit.

Me humbje prej rreth 6 milionë lekësh rezultoi edhe kompania më e re, ABI Invest, që në fakt e licencoi fondin e saj të parë vetëm në fund të vitit 2020 dhe nuk e kishte nisur ende aktivitetin investues.

Mbështetur në të dhënat e AMF, në fund të vitit 2020, këto kompani administronin rreth 71 miliardë lekë asete të fondeve të investimit dhe pensioneve. Tregu dominohet në pjesën dërrmuese nga fondet e administruara nga Raiffeisen Invest, megjithatë në dy vitet e fundit ai po tërheq edhe investitorë të rinj, si grupet financiare Albsig dhe ABI Bank, çka krijon premisa për rritje të konkurrencës në afatin e gjatë. /Monitor