TIRANE, 02 mars 2013– Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Osman Metalla, ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me pasurinë e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama.
Në këtë deklaratë, deputei i PD-së u shpreh se kryetari i PS-së vazhdon të refuzojë të bëjë publike pasurinë e tij.
“Për të njëjtat arsye ndershmërie ende sot e ëma dhe i biri nuk kanë bërë publike pasuritë e tyre, pasi nuk e ndjejnë që e kanë këtë detyrim ligjor. Deri në vitin 2004 thjesht ka refuzuar të deklarojë pasurinë, në vitin 2005 dhe në vazhdim deklaron vetëm borxhe, madje në ditën më të mirë borxhliu Edvin deklaron jo më shumë se 3 mijë Euro pasuri. Në vitin 2011 karta e tij e kreditit rezulton me -242 Euro, nuk ka shtëpi edhe pse gjatë mandatit të tij të fundit si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka dhënë leje për afro gjysëm milion metër katror për Rilindasit e tij. Të ardhura ka vetëm rrogën e shtetit por po ndërton një vilë prej 2800 m2 , në një truall prej 5800 m2 të dhënë pothuajse për sevap por jo në Tiranën që ndërtoi me Fidelët e tij, por jashtë saj”,- tha Metalla.