BRUKSEL, 02 mars 2013– Organizatat e Shoqërisë Civile të Evropës Juglindore mirëpresin përfundimet e Parlamentit Evropian mbi mangësitë e Strategjisë Rajonale të Energjisë për Evropën Juglindore
Njoftim për shtyp, Qendra EDEN
Organizatat e shoqërisë civile të Evropës Juglindore shprehin vlerësimin për Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian për organizimin më 21 shkurt të dëgjesës publike në Parlamentin Evropian për Strategjinë Rajonale të Energjisë (SRE) miratuar më 18 tetor 2012 në Malin e Zi, nga ministrat e energjisë të rajonit dhe për mundësinë e dhënë për të diskutuar hapur mbi këtë dokument të rëndësishëm. Ky grup organizatash ku bëjnë pjesë edhe partnerët shqiptarë nga Qendra EDEN dhe Qendra “Grupimi Ekolëvizja” shpresojnë që ky event të shërbejë si një shembull pozitiv për Komisionin Evropian, Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe autoritetet kombëtare në vendet përkatëse të Evropës Juglindore për të gjitha konsultimet e ardhshme për këtë çështje.
Organizatat bien plotësisht dakord me përfundimet kryesore të dëgjesës publike, veçanërisht me përfundimin se Strategjia Rajonale e Energjisë (e Komunitetit të Energjisë) nuk siguron qëndrueshmërinë mjedisore të sektorit të energjisë në Evropën Juglindore dhe nuk duhej të ishte përgatitur në një mënyrë jo-transparente.
Duke shpresuar se Strategjia Rajonale e Energjisë do të përmirësohet (siç u rekomandua ne dëgjesën publike të Parlamentin Evropian) dhe do të përditësohet sistematikisht (siç u deklarua edhe në njoftimin për shtyp që shoqëroi miratimin e Strategjisë) grupi i organizatave shpreh gatishmërinë për të marrë pjesë në proces në mënyrë konstruktive dhe efektive.
Zhvillimi i sektorit të energjisë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e të gjithë sektorëve në vendin tonë e në rajon, duke pasur parasysh edhe aspiratën e vendit tonë për t’u integruar në BE. Duam të përmendim disa nga problematikat / shqetësimet tona kryesore që kanë të bëjnë me interesat e mbi 20 milionë qytetarëve dhe konsumuesve të energjisë në rajon, si vijon:
-Dokumenti i Strategjisë Rajonale të Energjisë nuk është përgatitur në konsultime me qytetarët, me gjithë ndikimin shumë të madh që ka në jetët e tyre.
-Dokumentit i mungon fokusimi mbi kursimin e energjisë dhe eficencën e energjisë, që kanë edhe ndikimin më të madh te qytetarët në pikëpamjen ekonomike dhe sociale, sidomos në kontekstin e liberalizimit të tregut të energjisë pas vitit 2015 që pritet të sjellë për rrjedhojë rritjen e çmimeve.
-Shqetësim kryesor përbën fakti se 28.8 miliardë euro po planifikohen të shpenzohen në kapacitete të reja gjeneruese të energjisë me fokus qymyrin e linjitin (mbi 6000 MH ose përafërsisht gjysma e gjithë kapaciteteve të reja!). Ndërkohë që vendet e Bashkimit Evropian po synojnë drejt një sektori energjetik të pastër e pa karbon, janë brezat pasardhës ata që do të vuajnë pasojat negative në shëndet dhe ekonomi në qoftë se këto plane bëhen realitet. Raporti më i fundit i Bankës Botërore flet për 900 vdekje dhe 11.000 të sëmurë me sëmundje respiratore çdo vit (kryesisht fëmijë) si pasojë e përdorimit të qymyrit në Kosovë. Gjithashtu ndikimi ekonomik i këtyre projekteve, në kontekstin e adaptimit të legjislacionit të BE-së në fushën e energjisë dhe klimës ne rajon, do të jetë shkatërrues.
Rajoni ka pasuri të shumta natyrore, potenciale për energjitë e rinovueshme dhe eficencën e energjisë dhe këto janë shumë të rëndësishme për të arritur integrimin në BE. Grupi i organizatave po planifikon që nëpërmjet këtij projekti të ri (projekti për Politika të Qëndrueshme Mjedisore për Evropën Juglindore) të ketë një rol konstruktiv në shoqëri dhe shpreson se të gjithë aktorët e përfshirë do ta mirëpresin dhe do të marrin pjesë në zhvillimin e një modeli energjetik pa karbon.
Shënim – Ky artikull vjen si një nismë e projektit për Politika të Qëndrueshme Mjedisore për Evropën Juglindore (ku bëjnë pjesë 15 organizata nga Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia). Objektiv i projektit është rritja e bashkëpunimit ndërmjet organizatave dhe fuqizimi i qytetarëve për t’u angazhuar në dialogë me vendimmarrësit duke ndikuar në politika dhe praktika për një sistem energjetik më të qëndrueshëm në Evropën Juglindore, në përputhje me politikat dhe direktivat kyçe të Bashkimit Evropian.