SIRI, 02 mars 2013– Kreu i rebelëve sirianë Salim Idris thotë se luftëtarët e tij kanë nevojë për armë nga Shtetet e Bashkuara, jo për ushqime dhe fasho.

Idris i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai ka nevojë për raketa anti-tanke dhe anti-avionë për të ndaluar asgjësimin e popullit sirian nga forcat e Presidentit Bashar al-Assad.

Ai tha se ndihma humanitare që Shtetet e Bashkuara duan t’u dërgojnë rebelëve nuk do t’i çojë ata më pranë fitores.

Washingtoni deklaroi këtë javë se do t’u dërgojë për herë të parë drejtpërdrejt edhe 60 milionë dolarë ndihmë ushtarake jo vdekjeprurëse rebelëve.

Disa vende evropiane pritet të bëjnë të njëjtën gjë.

Rusia, që për një kohë të gjatë ka qenë aleate e Sirisë, tha se ndihma nuk do të ndihmojë që t’i jepet fund luftës civile 2 vjeçare dhe do të inkurajojë ekstremistët që të kërkojnë pushtet.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Barack Obama telefonoi Presidentin rus Vladimir Putin dje për të diskutuar për Sirinë dhe çështje të tjera.