TIRANË, 01 mars 2013– Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u ndal sot për një vizitë zyrtare në Tiranë. 

Thaci u prit nga kreu i qeverisë së Shqipërise, Sali Berisha, me te cilin pas takimit dolen para medias ne nje konference te perbashket per shtyp. 

“E informova kryeministrin Thaci për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor të ndershëm e të lirë. Vendosmërinë e qeverisë për një proces të denjë, e njoha dhe me reformat. Gjithashtu e njoha me reformat që po ndërrmer qeveria në mënryë që të përballojë krizën dhe të garantojë rritje ekonomike dhe punësimin e qytetarëve” tha Berisha”, tha Berisha në nisje të konferencës për shtyp.

Kryeministri shqiptar risolli në vëmendje marrëveshjen që ka premtuar për shtetësinë shqiptare për qytetarët e Kosovës. Sipas Berishës, në këtë pikë duhen saktësuar disa pika, sidomos ato për vizat. 
“Lidhur me vizat duhet të bëj një saktësi. Për qytetarët e kosovës qëndrimi është njësoj. Kjo do zgjidhet me një marrëveshje me qeverinë e Kosovës në një kohë të përshtatshme. Natyrisht është interesi kombëtar i shqiptarëve, qëllimi kryesor. Por nuk duhet, këtej negociojnë kosovarët me Brukselin me vizat këtej t’u them unë hajde se ua zgjidh unë. Kjo nuk mund të ndodhë. Dëshira ime është nesër që tju akordojë lëvizjen e lirë, por hapa të cilat ndërhyjnë në një proces si ai me Brukselin, këto nuk mund të ndodhin nga Shqipëria”. 
Berisha shtoi se “pasi të arrihet ky proces për liberalizmin e vizave ne negociojmë për problemin, ne jemi 1 komb, dy vende, 2 administrata. Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët të jenë një kudo që janë. Do bëjmë cmos që të bashkohen me Europën, sikundër ka hapësirë shumë të madhe që të bëjnë tejet të parëndësishëm kufijtë”.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Thaci theksoi se, Kosova është në rrugën e sigurt për të ardhmen evropiane, porse vonesa po ndodh padrejtësisht nga Brukseli. 
“Kthehem nga Brukseli dhe Kosova them me bindje është në rrugin e sigurt për të ardhmen evropiane. E kam ritheksuar se Kosova para 2 vitesh ka kërkuar liberalizimin e vizave. Por duhet të them përsëri se vonesa për liberalizimin e vizave po ndodh padrejtësisht nga mosuniteti i vendeve të BE. Por i mirëpresim të gjitha kriteret e tjera që po vijnë, të gjitha obligimet që bëhen para saj. Në Kosovë ekziston një unitet i gjerë politik qytetar për liberalizimin e vizave” 

Dialogu Kosova-Serbi, Thaci: E rëndë të takohem me Dacic, por e bëj për atdheun

“Takimi është i rëndë dhe për mua si Hashim Thaci, për personin tim, por duhet të ulemi dhe të tejkalojmë problemin”, deklaroi sot Thaci nga Tirana gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Sali Berisha. 

Sic bënë të ditur të dy personalitetet, pikë e takimit të përbashkët ka qenë edhe dialogu që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës Thaçi tha se informoi Berishën për dialogun me Daçiç në Bruksel. 
“Informova Berishën për procesin e bisedave që po zhvillohen në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, në nivelin më të lartë. Theksova se Serbia është dakorduar më në fund që sistemi i drejtësisë të funksionojë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Diskutuam se këto takime për normalizimin e plotë e përfundimtar të marrëdhënieve janë në një frymë konstruktive e pozitive deri tani janë zhvilluar 5 takime. Arritën disa pajtueshmëri verbale. Serbia është pajtuar për shpërbërjen e strukturave ilegale që punojnë për destabilitetin e Kosovës” tha Thaçi. 

Dialogun Kosovë-Serbi, Berisha e cilësoi si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për të dyja vendet por edhe për të gjithë rajonin. 

“Progresi në dialogun Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin tonë, pasi zgjidhja e një problematike të shumtë të trashëguar nga e shkuara është një arritje e rëndësishme për këto dy vende të pavarura dhe për mbarë rajonin” tha Berisha. 

Ai shtoi se nuk duhet të ketë dyshime për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes kryeministrave të të dyja vendeve 
“Marrëveshjet që arrihen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kanë fuqinë politike të Bashkimit Europian. Ato po ndërmjetësohen nga baronesha Ashton e cila është përfaqësuesja më e lartë në politikën e jashtme në Bashkimin Europian. Nuk është mirë që të lihen dyshime për vendosshmërinë e BE-së për të parë këto marrëveshje të zbatuara. Unë jam optimist dhe besoj që ajo që do të arrihet në Bruksel mund të bëhet e prekshme nga qytetarët e të dyja vendeve. Çështjet për të cilat është rënë dakort janë shumë të rëndësishme” shtoi Berisha. 

Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës është interesi i mirë i paqes në rajon dhe shprehu mbështetjen e plotë për përpjekjet për integrimin e Kosovës në BE e NATO, si proces tërësisht i mbështetur në meritë. 

Nacionalizmi, Berisha: Shqipëria nuk ka pretendime territoriale

Ndërsa mbi deklaratat e tij për kombin shqiptar dhe shqiptarët e bashkuar, të cilësuara nga faktori ndërkombëtar si nacionaliste, Berisha theksoi se do mbrojë interesat e shqiptarëve kudo ndodhen, por pa shkelur të drejtat territoriale. 
“Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë pretendime territoriale. Shqipëria ka qenë e angazhuar në interesin më të mirë të kombit shqiptar, në ruajtjen respektimin e kufijve ekzistues në ballkanin perëndimor dhe në ballkanin në tërësi. Shqipëria bazohet në të gjithë të drejtën kombëtare, konventat që ajo ka vendosur dhe kushtetutën e vendit. Do qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve aty ku ndodhen, që përbëjnë njëkohësisht vlera të sigurta euroatlantike. I tërë qëndrimi i Shqipërisë është ky. Të gjitha përpjekjet për të intimizuar shqiptarët, për të bërë presion mbi ta, për të theksuar më tepër ata, janë të destinuara të dështojnë, e kam fjalën në vende të tjera. Shqiptarët duhet të jetojnë të lirë e të barabartë, aty ku janë. Nqs kjo quhet nacionalizëm, mbetem krenar dhe i vendosur në të”. 

Shton Thaci: “Sa i përket opinioneve që ekzistojnë aty-këtu, kur nisëm autostradën, u tha është nacionalizëm, gabohen. Duhet ta modernizojmë hapësirën tonë kudo që jetojmë, Apo magjistralen prej nga nga Prizreni në Tetovë, gabim. E ardhmja e jonë është autostrada evropiane dhe të ketë vlera evropiane për shtete moderne”.