TIRANE, 01 mars 2013– Pas takimit që zhvilloi sot me ambasadorët e Bashkimit Evropian, të akredituar në vendin tonë, kreu i LSI-së Ilir Meta i është përgjigjur interesimit të mediave, në lidhe me cështjet e biseduara në këtë takim. 

Sipas Metës, integrimi europian, konsensusi për tre ligjet që do I hapnin rrugë atij por edhe zgjedhjet sa më transparente e të pakontestueshme, ishin pikat e bisedës me ambasadorët. 
“Folëm për mundësimin e një procesi zgjedhor sa më transparent. Biseda ishte mjaft interaktive, diskutuam për cështje të ndryshme politike e ekonomike. Prioritet kryesor mbetet integrimi, një proces transparent dhe i ndershëm zgjedhor si një kontribuat për të përshpejtuar integrimin”, tha Meta. 

Meta shtoi më tej se në këtë takim, ai ka shprehur dëshirën për monitorim sa më të gjërë të zgjedhjeve nga ndërkombëtarët. 

“U vu theksi tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme e të pakontestuara. Zgjedhjet tona janë edhe të BE përderisa ne jemi të interesuart të bëhemi pjesë e këtij unioni. Unë kam shprehur dëshirën të ketë një monitorim sa më të gjërë të tyre”. 

I pyetur për deklaratat e kryesocialistit Rama, i cili deklaroi mbrëmë se është i hapur për bashkëpunim me cdo forcë politike, përfshirë edhe LSI-në, Meta u përgjigj se qëndrimi i LSI-së tashmë është bërë publik. 

“Ne respektojmë mendimin e cilitdo, qendrimet tona kanë qënë publike dhe mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të përmbushuar detyrën tonë me këtë mazhorancë, por mbetemi të hapur për bashkëpunim me PS-në dhe cdo forcë tjetër politike”, tha Meta. 

Pak kohë më parë, një takim të tillë zhvilloi me ambasadorët e BE dhe kreu i PS-së, Edi Rama, pas të cilit, deklaroi se këtë radhë Shqipëria nuk do të jetë e vetme dhe vota e shqiptarëve do të jetë e monitoruar.