ROME, 28 shkurt 2013– Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, mori pjesë në Darkën Transatlantike të organizuar në Romë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, z. Giulio Terzi. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me çështjet aktuale në fushën e sigurisë që janë në agjendën e NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe sidomos për krizën në Siri, situatën në Afganistan dhe luftën kundër terrorizimit. 

Sic bën të ditur zyra për shtyp e Ministrisë së Jashtme, gjatë darkës, Ministri Panariti u takua me Sekretarin amerikan, z. John Kerry. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan raportet e shkëlqyera që ekzistojnë mes të dy vendeve. Ata vunë në dukje se të dy qeveritë ndajnë pikëpamje të përbashkëta për çështjet që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë. 

Ministri Panariti theksoi se prioritet i Qeverisë Shqiptare është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, përmes një politike të hapur dhe konstruktive. 
“Në këtë kontekst, ajo ka synuar forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon në shërbim të stabilitetit dhe frymës së mirëkuptimit mes vendeve. Gjithashtu, ai tha se Qeveria Shqiptare ka inkurajuar dhe përshëndetur dialogun e vendosur mes autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë”. 

Nga ana e tij, Sekretari Kerry përshëndeti rolin konstruktiv që luan Shqipëria në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai vlerësoi, gjithashtu, partneritetin që ka ofruar Shqipëria si anëtare e NATO-s në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe vlerave të demokracisë në zona të ndryshme të botës. 

Ashton së shpejti në Shqipëri

Ministri Panariti u takua edhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton. Gjatë takimit, Ministri Panariti theksoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendit. 
“Gjithashtu, një sfidë madhore e saj mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare”. 

Nga ana e saj, Baronesha Ashton konfirmoi mbështetjen për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe inkurajoi politikën shqiptare që të gjejë konsensusin për zbatimin e të gjitha kritereve të vendosura nga Komisioni Europian. 
Ajo informoi se parashikon të zhvillojë së afërmi një vizitë në Shqipëri, ku temë kryesore në takimet me zyrtarët e lartë të shtetit do të jetë integrimi europian dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.