TIRANE, 28 shkurt 2013– Debati ka përfshirë që në nisje seancën e radhës së Kuvendit paraditen e sotme. Opozita kërkoi që kalendari të përfshijë pr/ligjin për personat me aftësi të kufizuar dhe të hiqen nga kalendari ligji për privatizimin e 4 HEC-eve dhe ratifikimi i dhënies së licencës për lotarinë kombëtare. I menjëhershëm ishte reagimi i Topallit që theksoi se në kalendar së shpejti do të futet dhe Referendumi për 3 ligjet e integrimit.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh kundër përfshirjes në kalendar të projektligjeve që parashikojnë privatizimin e katër hidrocentraleve, të Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Po ashtu, Ruçi kundërshtoi dhe shqyrtimin në ditët në vijim të p/ligjit "Për dhënien e licencës së Lotarisë Kombëtare". Sipas tij, këto drafte kanë ardhur në parlament në kundërshtim me rregulloren dhe shqyrtimi i tyre është i nxituar.
“Të privatizosh 4 HEC-e dhe të mos lesh kohën më procedurale, por të shpejtosh ditët e pushimit të avancosh seancën nga e enjtja deri të hënë thotë në mënyrë taksative nuk mund të futen në kalendar, publiku shqiptar duhet ta kuptojë se cfarë është ky nxitim. Kërkoj të reflektoni në këtë çështje sepse kemi të bëjmë me privatizimin e pasurisë së shqiptarëve dhe me të ardhura që është lotaria kombëtare që nuk është pasuria juaj. Të hiqen nga kalendari i javës që vjen dhënia e privatizimi i 4 HEC-eve dhe ratifikimi i dhënies së licencës së Lotarisë Kombëtare
Të zbatohet rregullorja e parlamenti për këto probleme që u ngritën. Gjithashtu, PS ka mbi tre muaj që ka depozituar një nismë për personat me aftësi të kufizuar, e cila nuk është përfshirë në kalendar. Doli pretendimi se s’ka faturë financiare, pra, rregullorja i’u detyron t’ia ktheni nismëtarëve ta plotësojnë. Sot e mbi 3 muaj ka që e kemi depozituar dhe Këshilli i Ministrave duhet të ishte shprehur dhe në kalendar duhet të ishte përfshirë dhe të kishte marrë verdiktin në seancën parlamentare”.
Kryetarja e parlamentit theksoi se rasti i Lotarisë Kombëtare ka mbërritur prej javësh në parlament ndaj erdhi koha të futej në Kalendar. Kurse për rastin e 4 HEC-eve theksoi se nuk mund të përjashtojë nga kalendari çështje që mbushin arkën e shtetit.
“Është e vërtetë se pr/ligji i Rucit është kthyer se nuk ka faturë socialiste ndaja administrata ta kthejë për shqyrtim me qëllim që të vendosë faturën financiare. Rasti i lotarisë ka mbërritur prej disa javësh dhe normale që të hyjë në procedurën e ditës. Sa i përket HEC-eve, ne kemi praktikë parlamentare se kur flitet për interesa financiare që paratë shkojnë në buxhetin e shtetit dhe ajo hyn në kalendarin e kuvendi. Sa kam qenë kryetare këtë e kam zbatuar. E kemi lënë të hapur dhe fleksibël nëse kanë emergjencë dhe për ne është e nevojshme. Nëse jo do kalojmë në javën e tretë të kalendarit për të vazhduar në punën e Kuvendit”.
Kryeparlamentarja në vijim të fjalës theksoi se në Parlament ka mbërritur kërkesa për Referendum mbi 3 ligjet e bllokuara në Kuvend pasi kërkojnë shumicën e cilësuar.
“Kërkesa për referendum është depozituar e firmosur nga një numër i madh i deputetëve, është formalizuar tërësisht në përputhje me kushtetutën dhe ligjet. Ndaj do kemi rastin ta votojmë”.